Tani që Suedia dhe Finlanda kanë dhënë sinjalet për vullnetin e tyre për antarësim në NATO, Kanadaja mund të jetë ndër vendet e para anëtare që ratifikon antarësimin e tyre në Aleancën ushtarake trans-Atlantike, tha për shtypin Ministrja e Jashtme Kanadasë. Duke folur për gazetarët nga Brukseli pas pjesëmarrjes në takimet e zhvilluara në Gjermani dhe Belgjikë me homologët e saj nga G7, NATO dhe vendet e BE, Ministrja e Punëve të Jashtme Mélanie Joly tha se e ka përgatitur tashmë terrenin për ratifikim nga Kanadaja. “Bazuar në sistemin kanadez të qeverisjes, në këtë rast ekzekutivi ka juridiksionin dhe nuk është e nevojshme të kalojë nëpërmjet parlamentit për të siguruar ratifikimin”, – u tha Joly gazetarëve.
“Thënë kjo, çështja është tejet e rëndësishme prandaj kam kontaktuar me kritikët e mi nga partitë opozitare për të kërkuar mbështetjen e tyre dhe ata janë të gjithë dakord. Kështu që në Kanada kjo është një çështje jo partiake”, – u shpreh Joly.
Joly tha se gjatë takimeve të saj me ministra të tjerë të jashtëm, antarësimi i Suedisë dhe Finlandës në Aleancë ishte çështje kyçe e bisedimeve. “Kanadaja jo vetëm që është në favor të antarësimit të tyre, por për më tepër do të thoja të një antarësimi të shpejtë të këtyre dy vendeve, sepse ne besojmë se këto dy vende janë një përfitim neto për Aleancën”, – tha ajo.
“Ne ndajmë vlera të përbashkëta, ne marrim pjesë, gjithashtu, në stërvitje ushtarake të përbashkëta dhe përfundimisht Suedia dhe Finlanda kanë ushtri të forta”.
Joly nuk foli për mesazhin për homologun e saj turk, por tha se ajo beson se ekzistojnë mundësitë për adresimin e shqetësimeve të Turqisë.
Çlirimi i grurit të Ukrainës.
Ministrja e Jashtme thotë se anijet kanadeze janë në gatishmëri për të ndihmuar në transportimin e grurit nga Ukraina.
Joly tha se Kanadaja po punon me aleatët për të gjetur rrugë alternative për transportin e grurit ukrainas. “Po diskutohen disa rrugë nga autoritetet evropiane, amerikane dhe kanadeze dhe sigurisht, ne jemi në diskutime me juridiksione të ndryshme nga Polonia në Rumani, shtetet Balltike dhe Turqi”, – tha Joly.
Duke bërë të të ditur se drithi është i nevojshëm të transportohet nga Ukraina në mënyrë që të lirojë depot në kohë për të korrat e radhës, Joly tha se anijet kanadeze janë në gatishmëri për të ndihmuar.
“Është e nevojshme të garantojmë çlirimin e grurit ukrainas, si edhe dërgimin e tij në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Kanadaja është një nga eksportuesit më të mëdhënj të grurit në botë. Ne kemi ekspertizë në këtë sektor dhe po punojmë aktualisht jo vetëm me qeverinë e Ukrainës, por edhe me BE dhe disa vende specifike, përfshirë Rumaninë, për të gjetur një zgjidhje”, – tha Joly.
Ajo shtoi se javën e ardhshme do të jetë në New York për takime në OKB, për të diskutuar sigurinë ushqimore globale.