Kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Anthony Rota, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të rriten.
Gjatë fjalës në seancën parlamentare të datës 13 tetor 2022, Rota theksoi se sivjet mbushen 35-vjet nga momenti kur dy vendet vendosën marrëdhëniet diplomatike dhe se kjo marrëdhënie patjetër që do të vazhdojë të rritet teksa vendet tona punojnë bashkë për të forcuar lidhjet tregtare dhe lidhjet mes njerëzve.
“Kanadaja dhe Shqipëria kanë edhe mundësitë për të bashkëpunuar për çështje që na sfidojnë të gjithëve, siç është nevoja për të forcuar të drejtat e njeriut, diversitetin, përfshirjen, barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike”, u shpreh Rota.
Kryeparlamentari kanadez tha se në vitin 2019, grupi parlamentar i miqësisë Kanada-Shqipëri, u themelua, sipas tij, si shënjues i punës së madhe dhe vullnetit të mirë të dy kombeve për të forcuar bashkëpunimin.
“Vizita ime vjen në një moment të trazuar. Një konflikt i rëndë po ndodh në Evropë. Agresioni rus në Ukrainë po shkakton vdekje, zhvendosje popullsie dhe destabilizim, por edhe problematika me energjinë dhe ushqimin, ashtu si në Kanada dhe në mbarë botën”, tha më tej ai.
Ai shtoi se gjatë viteve kanë parë shumë zhvillime, qoftë brenda dy vendeve qoftë edhe në nivel ndërkombëtar. Për sa i përket sigurisë, Rota shtoi se Shqipëria ndihmoi në stabilizimin e rajonit pas konflikteve të viteve 1990.
Gjithashtu ai theksoi se Shqipëria ka punuar fort për të forcuar marrëdhëniet me fqinjët, sipas tij përmes mekanizmave si nisma “Ballkani i Hapur”.