Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada hapi sot dyert për një grup studentësh ndërkombëtarë që ndjekin studimet në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetet e kryeqytetit kanadez, Ottawa.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe interaktive, ku të rinjtë shfaqën interes të veçantë për kulturën, historinë, trashëgiminë dhe zhvillimet bashkëkohore të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet diplomatike që vendi ynë kultivon me botën, në veçanti me Kanadanë.
Përmes bashkëbisedimit të hapur, studentët patën mundësi të njihen më nga afër me rolin dhe misionin e Ambasadës, përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe potencialet e shumta që Shqipëria ofron si destinacion kulturor, akademik dhe diplomatik.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit shprehën dëshirën e tyre për të vizituar së shpejti Shqipërinë dhe për të eksploruar nga afër bukuritë natyrore, mikpritjen dhe pasuritë kulturore që ajo ofron. Gjithashtu, një pjesë e diskutimit iu kushtua mundësive për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë, përmes programeve të shkëmbimit akademik dhe marrëveshjeve ndëruniversitare.
Ambasada vlerëson angazhimin e këtyre të rinjve dhe e konsideron këtë vizitë një hap pozitiv drejt ndërtimit të urave të reja ndërkulturore dhe akademike midis Shqipërisë dhe Kanadasë.




