Me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 35 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kanadanë, Ambasada organizoi pritjen zyrtare në Otava me praninë e anëtarëve të Qeverisë së Kanadasë, senatorëve, anëtarëve të parlamentit, krerëve te misioneve diplomatike, kolegëve të Departmentit të Punëve të Jashtme, Tregëtisë dhe Zhvillimit të Kanadasë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, medias dhe biznesit, si edhe anëtarëve të komunitetit shqiptaro- kanadez.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre, z. Anthony Rota, Kryetar i Dhomës së Komunëve, z. Ahmed Hussen, Ministër i Strehimit, Diversitetit dhe Gjithpërfshirjes, z. Rob Oliphant, Sekretar Parlamentar i Ministres së Punëve të Jashtme, znj. Sandra MacCardall, Ndihmës Zëvendësministre e Punëve të Jashtme, z. Stewart Wheeler, Shef i Protokollit të Kanadasë dhe miq të tjerë të Shqipërisë.
Z. Ermal Muça, Ambasador i Shqipërisë në Kanada, krahas të tjerash, përcolli një tabllo të shkëmbimeve dhe zhvillimit të marrëdhënieve në rrafshin dy dhe shumëpalësh, përfshirë hyrjen në fuqi gjatë vitit 2022 të Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore ndërmjet dy vendeve.
Në emër të Kanadasë përcolli urimet dhe iu drejtua të pranishmëve z. Anthony Rota, Kryetari i Dhomës së Komunëve të Kanadasë, i cili vlerësoi fuqizimin e vazhdueshëm të partneritetit Shqipëri-Kanada, kontributin e vendit tonë dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, rolin aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i KS në OKB, si edhe përparimin e shënuar në drejtim të antarësimit të plotë në BE. Përcolli, gjithashtu, urimet me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, mundësi e volitshme për të promovuar vlerat tona kombëtare dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve.
Kryetari Rota ndau me të pranishmit mbresat e shkëlqyera nga vizita e tij zyrtare në Shqipëri gjatë muajit tetor, ku u shpreh se u ndje si në shtëpi.
Gjatë pritjes, znj. Entela Galanxhi, znj. Mara Çako dhe z. Qazim Kallushi, muzikantë shqiptaro-kanadezë nga Toronto, performuan vepra nga kompozitorët shqiptarë.