Këshilli i të Drejtave të Njeriut (KDNJ) është organi kryesor ndërqeveritar brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara. Ai është përgjegjës për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, përmes adresimit të situatave specifike të vendeve dhe dhënies së rekomandimeve për to. KDNJ u krijua me rezolutën 60/251 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2006, duke u shndërruar në një organ kyç të Kombeve të Bashkuara për adresimin e çështjeve të të drejtave të njeriut. Ai përbëhet nga 47 shtete anëtare të OKB-së, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për një mandat tre vjeçar.
Shqipëria ka qenë anëtare e KDNJ për herë të parë në periudhën 2015-2017, gjatë të cilës ka dhënë kontributin e saj në angazhimet globale për çështje të tilla si të drejtat e pakicave kombëtare, intoleranca dhe diskriminimi, si dhe promovoi në mënyrë aktive barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe të drejtat e grupet në rrezik për shkak të diskriminimit.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat i BE-së, mbështet fuqimisht respektimin e të drejtave të njeriut dhe universalitetin e tyre. Bazuar në këto arritje, dhe nevojën për kredibilitetin e këtij organi kaq të rëndësishëm për të drejtat e njeriut, Shqipëria paraqiti kandidaturën e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, për periudhën 2024-2026, në zgjedhjet që u zhvilluan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në tetor 2023.
Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut nga 1 janari 2024 deri në 31 dhjetor 2026.