Më 8 nëntor 2024, në Gjenevë u zhvillua takimi i Grupit të Punës për Rishikim Periodik Universal për miratimin e raportit të Shqipërisë.
Ambasadorja znj. Hysi, në emër të Shqipërisë, shprehu mirënjohjen për Trojkën e përbërë nga Misionet e Bullgarisë, Ganës dhe Japonisë, për Sekretariatin, dhe shërbimet e përkthyesve.
Shqipëria falënderoi Shtetet anëtare për angazhimin e tyre të sinqertë gjatë rishikimit të UPR-së së Shqipërisë dhe rekomandimet e bëra. Përsëriti angazhimin e Shqipërisë për të konsideruar çdo rekomandim të Rishikimit Periodik Universal (UPR) si një mekanizëm, roli kryesor i të cilit mbetet ndihma, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Për Shqipërinë, ky proces nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e llogarisë nga çdo person, por edhe me nxitjen e dialogut dhe analizës së vërtetë.
Vlerësohet njohja e progresit të bërë nga Shqipëria për të drejtat e njeriut që nga cikli ynë i tretë i UPR-së, në maj 2019.
Shqipëria mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, përfshirë UPR-në, dhe të respektojë detyrimet e saj për të mbrojtur, respektuar dhe përmbushur të gjitha të drejtat e njeriut.