Gjenevë, 28 nëntor 2024
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave Mbrojtëse të të Drejtave të Njeriut më 28 nëntor 2024, Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Gjenevë mori pjesë në veprimtarinë e organizuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen dhe Veprimin Humanitar për Gratë (WPHF) së bashku me Norvegjinë, Belgjikën, Gjermaninë, Sierra Leonen dhe UN Women, me temë “Të mos lëmë pas asnjë grua mbrojtëse të të drejtave të njeriut”.
Gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut nga mjedise të ndryshme dhe rajone të prekura nga konflikti/krizat paraqitën tendencat dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen, bazuar në përvojën e tyre.
Misioni i Shqipërisë në Gjenevë falënderoi gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut për ndarjen e përvojave të tyre dhe i përgëzoi ato për punën e madhe që po bëjnë në terren pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballen.
Në takim u evidentua se Shqipëria vlerëson rolin jetik të Grave Mbrojtëse të të Drejtave të Njeriut në avancimin e paqes, sigurisë, të drejtave të njeriut, duke përfshirë adresimin e pabarazive dhe diskriminimit dhe njeh rolin e rëndësishëm që ata luajnë, veçanërisht në rajonet e prekura nga konflikti.
Për Shqipërinë, fuqizimi i grave dhe pjesëmarrja e tyre domethënëse në proceset vendimmarrëse është jetike për paqen e qëndrueshme dhe sigurimi i përfaqësimit të plotë të grave në proceset e paqes është thelbësore.
Misioni i Shqipërisë në Gjenevë pati kënaqësinë të informojë se Shqipëria organizoi samitin e të gjitha grave afgane, për të krijuar një zë të bashkuar që përfaqëson gratë dhe vajzat e Afganistanit në luftën e tyre kundër shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të tyre dhe lirive themelore.
Misioni vlerësoi se këto takime ndihmojnë për të kuptuar më mirë sfidat me të cilat përballen gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe nevojat e tyre dhe i falënderoi ato për vlerësimet dhe rekomandimet konkrete për veprimet që duhen ndërmarrë për t’i ndihmuar ato.
Shqipëria është mbështetëse e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Paqen dhe Veprimin Humanitar për Gratë.