Ju falënderoj për praninë tuaj dhe mundësinë e këtij takimi të përvitshëm, që përkon me fundin e vitit dhe një moment reflektimi mbi ato që kemi arritur në politikën e jashtme. Ky është edhe një rast për të diskutuar mbi sfidat që na presin në vitin 2025.
Viti që po lëmë pas ka qenë një vit i suksesshëm për Shqipërinë dhe diplomacinë e saj, me hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Kemi forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë; kemi rritur angazhimet në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale; si dhe kemi ngritur më lart mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo në botë. Këto përpjekje kanë kontribuar në konsolidimin e imazhit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti dhe një vend me potenciale për investime dhe zhvillim ekonomik.
Angazhimet diplomatike të vitit 2024
Viti 2024 filloi me angazhime diplomatike të rëndësishme për Shqipërinë, që ishin po ashtu mundësi për të pasqyruar angazhimin tonë për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal. Dy samitet kyçe që mbajtëm, ato për Agjendën e Rritjes dhe Konvergjencës dhe për Ukrainën, ishin platforma ku Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm për të forcuar pozitat e saj në rajon dhe për të kontribuar në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.
Një moment historik i këtij viti ishte mbajtja e Konferencës së Dytë dhe të Tretë Ndërqeveritare (K2NQ dhe K3NQ) me Bashkimin Evropian, më 15 tetor 2024, në Luksemburg, ku hapëm kapitullin e parë të negociatave, “Themeloret” dhe 17 dhjetor në Bruksel për hapjen e grup kapitullit 6 “Marrëdhëniet me jashtë”. Këto hapa shënuan një fazë të re dhe të rëndësishme në procesin e anëtarësimit, duke i dhënë një impuls të ri gjithë procesit të integrimit.
Objektivi ynë është i qartë: në vitin 2025 synojmë të hapim të gjithë grup-kapitujt dhe të mbyllim grup-kapitullin e gjashtë, ndërsa deri në fund të vitit 2027, planifikojmë të mbyllim të gjitha negociatat dhe të jemi gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ky është një qëllim ambicioz, dhe diplomacia do të luajë një rol kyç në realizimin e tij, me komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së.
Në këtë kuadër, pjesëmarrja e Shqipërisë në Procesin e Berlinit, i cili u mbajt këtë vit në Berlin në dhjetëvjetorin e tij, ka qenë gjithashtu një mundësi për të shpejtuar integrimin dhe intensifikuar mbështetje për stabilitetin në rajon dhe në Evropë.
Marrëdhëniet me fqinjët dhe Siguria Rajonale
Një aspekt i rëndësishëm i diplomacisë shqiptare gjatë vitit 2024 ka qenë përkushtimi për forcimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje. Shqipëria ka pasur një angazhim të vazhdueshëm për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me fqinjët. Marrëdhëniet tona me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Greqinë janë thelbësore për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor. Kjo periudhë ka shënuar avancime të mëdha në përmirësimin e infrastrukturës rajonale, si dhe bashkëpunim të fortë në fushën e sigurisë dhe të drejtat e njeriut.
Marrëdhëniet me Kosovën, në veçanti, janë të karakterizuara nga solidariteti i thellë dhe mbështetja e njëri-tjetrit në sfidat ndërkombëtare. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën janë themelore për politikën e jashtme të vendit tonë dhe për stabilitetin e rajonit. Kosova mbetet prioriteti ynë kombëtar.
Shqipëria ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të Kosovës në një periudhë të ngarkuar me sfida të brendshme dhe të jashtme.
Kemi mbështetur gjithmonë dialogun e lehtësuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqësore. Ky proces është i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe për integrimin e të dyja shteteve në strukturat evropiane. Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në këtë dialog, duke inkurajuar palët për të shprehur fleksibilitet dhe angazhim të vërtetë për arritjen e një marrëveshjeje që do të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe do të sigurojë një paqe të qëndrueshme. Kemi ofruar, gjithashtu, mbështetje të vazhdueshme për Kosovën në këtë proces, duke lobuar për mundësitë që ky dialog të përfshijë përfitime të prekshme për të dyja vendet dhe për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.
Shqipëria ka dënuar me forcë çdo formë të dhunës dhe terrorizmit të manifestuar në territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu çdo akt të dhunshëm që ka synuar drejtpërsëdrejti destabilizimin e saj dhe më gjerë të Ballkanit Perëndimor. Ajo ka bërë thirrje për një qëndrim të fortë dhe të koordinuar ndërkombëtarisht për të luftuar aktet e terrorizmit, veçanërisht kur ato janë përdorur si mjet për të minuar proceset e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Shqipëria mbetet e angazhuar për një rajon të stabilizuar dhe të zhvilluar, duke promovuar politika të hapura dhe të favorshme për fqinjët tanë.
Shqipëria është angazhuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në rajon, duke promovuar identitetin dhe kulturën e tyre kombëtare dhe duke ofruar mbështetje për projekte, bursa dhe mjete shkollore për bashkëkombësit tanë. Një nga hapat më të rëndësishëm në këtë kuadër është hapja e konsullatave të përgjithshme të Shqipërisë në Strugë dhe Ulqin, që janë dëshmi e mbështetjes dhe kujdesit për komunitetet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Këto konsullata shërbejnë si pika të rëndësishme jo vetëm për ofrimin e shërbimeve konsullore, por edhe si qendra për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të rajonit.
Shqipëria ka ofruar mbështetje të rëndësishme financiare dhe materiale për shqiptarët në rajon, në vlerën e mbi 100 mijë euro. Kjo mbështetje përfshin financimin e projekteve që promovojnë zhvillimin social dhe ekonomik, si dhe dhënien e bursave dhe mjeteve shkollore për fëmijët dhe studentët shqiptarë që jetojnë në këto zona.
Angazhimi për Paqe dhe Siguri Ndërkombëtare
Një tjetër dimension i politikës sonë të jashtme është angazhimi i Shqipërisë për mbështetje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shqipëria ka mbështetur fuqishëm Ukrainën në këtë periudhë të vështirë, duke dënuar agresionin rus dhe riafirmuar mbështetje të plotë për sovranitetin e saj. Po ashtu, kemi mbajtur një qëndrim të qartë pro Izraelit dhe kemi dënuar sulmet terroriste të Hamasit, duke theksuar nevojën për një zgjidhje paqësore dhe humanitare për Gaza.
Në fushën e të drejtave të njeriut, Shqipëria ka pasur një angazhim të fortë, si vend anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Pra, kemi vazhduar të mbajmë një profil të lartë edhe pas përfundimit të mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke pasur në fokus tematika si Gratë, Paqja dhe Sigurinë, si dhe duke mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktet.
Aleanca Transatlantike dhe Siguria Rajonale
Ky vit ka shënuar 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Shqipëria mbetet e angazhuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe ka mirëpritur angazhimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Hapja e bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë është një shembull i investimeve të Aleancës në Shqipëri, duke siguruar stabilitet për rajonin.
Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit me Italinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Rumaninë për realizimin e projekteve të Korridorit VIII Pan-Evropian. Ky korridor do të lidhë detin Adriatik me Detin e Zi, dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Në qershor 2024, Shqipëria u bë vendi i 36-të anëtar i Qendrës së Ekselencës për kërcënimet hibride në Helsinki, duke forcuar kështu angazhimin e saj në sigurinë globale.
Po ashtu, ka nisur bashkëpunimi konkret me NATO-n për organizimin e Samitit të Aleancës në Tiranë në vitin 2027, ku Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të presë një ngjarje kaq të rëndësishme në rajon.
Partneritetet e reja ndërkombëtare dhe diplomacia ekonomike
Shqipëria ka avancuar në krijimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe në forcimin e diplomacisë ekonomike, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve me shtetet e ndryshme dhe promovimin e interesave të saj në arenën ndërkombëtare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë hapja e përfaqësive diplomatike në vende si Azerbajxhani dhe Ukraina. Kjo është një dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për të zgjeruar praninë e saj diplomatike dhe për të forcuar lidhjet ekonomike dhe tregtare me këto shtete. Azerbajxhani, si një vend i pasur me burime energjetike dhe mundësi të zhvillimit të tregtisë, është një partner kyç për Shqipërinë në fushat e energjisë dhe investimeve. Nga ana tjetër, hapja e përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Ukrainë ka një rëndësi të veçantë, sepse thekson mbështetje të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke reflektuar angazhimin e Shqipërisë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe përtej tij.
Nga ana tjetër, tregues i zgjerimit të partneriteteve tona ndërkombëtare shihet edhe nga hapja e përfaqësive diplomatike të vendeve të ndryshme në Tiranë, si ato të Indisë, Kazakistanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Këto hapje përfaqësish reflektojnë interesin e këtyre shteteve për të thelluar marrëdhëniet me Shqipërinë dhe për të forcuar lidhjet ekonomike, tregtare dhe kulturore.
India, si një nga ekonomitë më të mëdha të Azisë, ka potencial të madh për bashkëpunim me Shqipërinë në fushat e teknologjisë, arsimit dhe kulturës, ndërsa Kazakistani, me burime të pasura natyrore, mund të kontribuojë në forcimin e lidhjeve në sektorët e energjisë dhe mineraleve. Po ashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe, një partner kyç në fushën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik, ofrojnë mundësi të rëndësishme për projekte infrastrukturore dhe investime në turizëm.
Hapja e këtyre përfaqësive diplomatike në Tiranë është një hap i rëndësishëm për promovimin e Shqipërisë si një qendër tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë dhe një mundësi për të thelluar bashkëpunimin me këto shtete, duke siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe zhvillim të shkëmbimeve kulturore.
Forcimi i Lidhjeve me Diasporën dhe Roli i Saj në Zhvillimin e Shqipërisë
Jemi angazhuar në mënyrë të veçantë për forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare, duke u fokusuar në bashkëpunim të ngushtë për të mbështetur zhvillimin e vendit dhe ruajtjen e identitetit kulturor. Kjo bashkëpunim ka qenë i strukturuar përmes një sërë iniciativash dhe programesh që synojnë rritjen e rolit të diasporës në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të Shqipërisë. Ministria mbështet aktivisht organizatat e diasporës, duke ofruar mundësi për të lidhur komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë me vendin, përmes aktiviteteve kulturore, arsimit dhe promovimit të gjuhës shqipe.
Një prioritet tjetër i Ministrisë është eksplorimi i mundësive për të rinjtë shqiptarë që të kthehen në atdhe dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, duke krijuar mundësi për “brain gain” përmes kthimit të njohurive dhe eksperiencave nga jashtë.
Perspektiva për 2025 dhe Strategjia e Diplomacisë Ekonomike
Viti 2025 do të jetë një vit sfidash, por po ashtu një mundësi për të konsoliduar arritjet dhe për të avancuar më tej. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përfituar një projekt-buxhet prej 3.8 miliardë lekësh, që është buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë për Shërbimin e Jashtëm, dhe do të përdoret për të krijuar partneritete të reja, forcuar diplomacinë ekonomike dhe për të promovuar investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit.
Organizimi i Samitit të Komunitetit Politik Evropian dhe Përfaqësimi i Shqipërisë
Organizimi i Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë në maj 2025 do jetë një ngjarje e rëndësishme që do theksojë edhe një herë rolin e Shqipërisë në proceset politike dhe diplomatike të kontinentit evropian, si një aktor aktiv dhe të përgjegjshëm në politikën ndërkombëtare. Ky samit, i cili do të mbahet për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, simbolizon një hap të madh për imazhin që ka krijuar vendi ynë dhe integrimin e mëtejshëm në strukturat evropiane, duke i dhënë mundësinë për të marrë përsipër organizimin e ngjarjeve të nivelit të lartë mbi çështjet kryesore të politikës, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në Evropë. Ky event do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar Shqipërinë si një partner të besueshëm dhe një vend të gatshëm për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimit evropian.
Hapja e Ambasadave të Reja në Indonezi, Bosnje-Hercegovinë, Indi dhe Kenia
Këto hapje ambasadash përfaqësojnë një angazhim të fortë për të zgjeruar praninë e Shqipërisë në rajone strategjike dhe për të ndihmuar në rritjen e mundësive të bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik. Bashkëpunimi me këto vende do të kontribuojë në diversifikimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe do të ndihmojë në avancimin e agjendës kombëtare të Shqipërisë në arenën globale.
Hapja e Zyrave të BEI-t dhe UNIDO
Në vitin 2025, Tirana do të presë hapjen e dy zyrave të rëndësishme ndërkombëtare:
Bankës Evropiane të Investimeve dhe Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO), duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Shqipërisë me institucione globale, duke ofruar mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik. Hapja e këtyre zyrave do të kontribuojë në mbështetje për sektorët strategjikë, si infrastruktura, energjia dhe teknologjitë e reja, duke stimuluar rritjen dhe modernizimin e ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, kjo do të ofrojë mundësi për trajnim dhe ndihmë teknike, duke përmirësuar kapacitetet institucionale dhe rritur bashkëpunimin në nivel rajonal dhe global.
Ngritja dhe funksionimi i rrjetit të atasheve tregtar në Përfaqësitë tona diplomatike do të jetë një element thelbësor dhe mjet strategjik në promovimin, nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, rritjen e eksporteve, prurjet inovative dhe transformimin dixhital.
Në kuadër të forcimit të lidhjeve me Diasporën, do të mbetemi të angazhuar për modernizimin e shërbimeve konsullore.
Modernizimi i Shërbimeve Konsullore: Shërbimi Konsullor Online dhe Sistemi eVisa
Një aspekt i rëndësishëm i modernizimit të shërbimeve konsullore është modernizimi i shërbimit konsullor online (SHKO) dhe sistemit të eVisa, për të cilat punohet në vazhdimësi. Kjo iniciativë ka për qëllim lehtësimin dhe rritjen e efikasitetit të ofrimit të shërbimeve online për qytetarët shqiptarë dhe atyre të huaj që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë, duke iu dhënë mundësi për aksesim të shpejtë e pa pengesa si për shërbimet konsullore ashtu edhe për aplikimet për viza. Aplikimi i sistemit të eVisa, ka ndihmuar në përshpejtimin e procedurave të vizave dhe ka bërë që të gjitha kërkesat të përpunohen në mënyrë më efikase dhe transparente.
Një zhvillim domethënës është forcimi i pasaportës shqiptare, e cila ka fituar një pozicion të qëndrueshëm në nivelin ndërkombëtar. Në vitin 2024, pasaporta shqiptare ofron mundësinë e udhëtimit pa viza në rreth 124 shtete dhe territore të ndryshme, duke përfshirë vende të rëndësishme të Bashkimit Evropian, SHBA, Kanada, dhe shumë shtete të tjera të zhvilluara. Ky zhvillim ka kontribuar në rritjen e lëvizshmërisë së qytetarëve shqiptarë dhe në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare, duke ofruar mundësi më të mëdha për udhëtime, biznes dhe edukim. Kjo është një dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të rritur prestigjin dhe mundësitë për qytetarët e saj në skenën globale.
Një arritje tjetër që presim që nga java tjetër është redukimi i kohës nga 6 javë në 2 javë për pajisjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit me dokumente identifikimi biometrike, duke e bërë këtë proces më të shpejtë dhe më efikas.
Ky modernizim është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve konsullore, i cili ndikon në dobi të forcimit të besimit, transparencës dhe lidhjeve të përfaqësive tona jashtë me shtetasit tanë.
Shënojmë se përgjatë 2024-s, e përkthyer në shifra totali i shërbimeve konsullore të ofruara është rreth 140,000, prej të cilave 62,000 janë dokumente biometrike, 17,000 leje kalimi, pjesa tjetër veprime konsullore (vërtetime, prokura, etj.) si edhe rreth 600,000 legalizime/ apostilime dokumentesh për përdorim jashtë vendit.
Ligji i Ri i Shërbimit të Jashtëm dhe Synimet e Tij
Ligji i ri i Shërbimit të Jashtëm, i cili është në proces, është një hap i rëndësishëm në forcimin dhe modernizimin e diplomacisë shqiptare. Ky ligj ka për qëllim rritjen e efikasitetit të administratës diplomatike dhe konsullore, duke përcaktuar procedura dhe standarde të qarta për punësimin dhe karrierën e diplomatëve. Ai synon gjithashtu forcimin e shërbimit diplomatik dhe konsullor në përputhje me nevojat e reja të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e menaxhimit të resurseve njerëzore dhe financiare. Përmes këtij ligji, Shqipëria synon të përforcojë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të promovojë më mirë interesat e saj kombëtare dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët shqiptarë në mbarë botën.
Vëmendja ndaj Kushteve të Punës dhe Mbështetjes së Stafit Diplomatik dhe Konsullor
Theks të veçantë do të ketë edhe përmirësimi i kushteve të punës dhe mbështetjes për stafin diplomatik dhe konsullor, duke e konsideruar atë një nga faktorët kyç për suksesin e diplomacisë shqiptare. Pjesë e këtij angazhimi është ofrimi i trajnimeve dhe mundësive për zhvillim profesional, si dhe sigurimi i kushteve më të mira për punë dhe jetë për diplomatët dhe konsujt në misionet jashtë vendit. Ministria synon të krijojë një ambient të qëndrueshëm dhe mbështetës, i cili lejon stafit të realizojë misionin e tij me efikasitet dhe përkushtim, duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive dhe rritjen e motivimit. Kjo përfshin gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës në ambasada dhe konsullata, sigurimin e kushteve të mira për jetesë dhe punë.
Përmbyllje
Në përmbyllje, dua të falënderoj ju, gazetarët dhe përfaqësuesit e medias, për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe profesionalizmin me të cilin pasqyroni aktivitetin tonë diplomatik. Shpresoj që në vitin 2025 të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe të ndërtojmë së bashku një vit të ri të mbushur me suksese dhe arritje për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar.
Faleminderit dhe mirëpres pyetjet dhe komentet tuaja!