Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, znj. Adia Sakiqi, pati nderin të prezantojë në Klubin Ndërkombëtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane, prezantimin “Shqipëria – destinacioni turistik i fshehur i Evropës, shanset dhe sfidat”.
Shqipëria ka qenë një destinacion turistik i fshehur prej disa vitesh. Në këtë kontekst, Ambasadorja, znj. Sakiqi, përmes prezantimit të saj shumëdimensional më 9 prill, parashtroi një vështrim nga afër të zhvillimit të turizmit të Shqipërisë në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Një pjesë e rëndësishme e këtij prezantimi ishin vështrimet mbi politikën e jashtme të Shqipërisë dhe rolin aktiv që Shqipëria luan në multilateralizëm, veçanërisht gjatë Kryesimit të OSBE-së dhe vendit jo të përhershën në KS të OKB 2022/2023. Një fokus i madh iu kushtua rrugës së reformave që Shqipëria ka ndërmarrë në dritën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe procesit të negociatave të anëtarësimit në BE. Shqipëria është një kontribuese krenare për familjen e NATO-s dhe një shtyllë e stabilitetit të rajonit.
Ky prezantim u pasua nga një sesion pyetjesh gjatë të cilit Ambasadorja nënvizoi rolin që luan turizmi në perceptimin e jashtëm të një vendi dhe theksoi ndikimin që ka turizmi në zhvillimin ekonomik, si dhe në anëtarësimin në BE. Ambasadorja theksoi prioritetet kombëtare në lidhje me Axhendën e Gjelbër dhe zhvillimin e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.