Pyetje: Zoti Ministër, faleminderit që na pritët në zyrën tuaj. Kënaqësi gjithmonë të bisedoj me ju. Pak ditë më parë Shqipëria hapi zyrtarisht Klasterin e parë të kapitujve për negociatat. Çfarë do të thotë kjo për Ministrinë e Jashtme, Shqipërinë, por mbi të gjitha edhe për njerëzit e thjeshtë?
Ministri Hasani: Është momenti më i rëndësishëm i negociatës që ne kemi në Bashkimin Evropian. Është dita kur ne zyrtarisht duhet të fillojmë procesin e bërjes së anëtarit të plotë.
Është dita kur e gjithë negociata politike tashmë përkthehet në kushte teknike, të cilat janë grup-kapitujt dhe grup-kapitulli i parë që u hap javën e kaluar. Është finalizimi i një përpjekjeje shumëvjeçare për të arritur që të kemi këtë negociatë, e cila do të përcaktojë qartë detyrimet e vendit tonë në raport me atë klasë, të cilës ne po angazhohemi maksimalisht që të bëjmë pjesë, e grupit të vendeve të Bashkimit Evropian.
Pyetje: Është moment për të festuar, apo jo?
Ministri Hasani: Janë gjithmonë momente për të festuar, po kam përshtypjen se festat nuk kanë të bëjnë me fishekzjarrët dhe lumturinë.
Pyetje: Të pyes se ne në Shqipëri, kemi hapur gjithmonë shampanjë e kemi bërë festa shumë herë për këto gjëra.
Ministri Hasani: Është shumë e rëndësishme që të festohet puna e të gjithë atyre njerëzve që kanë qenë të angazhuar, për të plotësuar këtë detyrim të madh.
Është shumë e rëndësishme që ne të festojmë, një administratë publike të qartë dhe të mirë orientuar dhe një qeveri, e cila ka qenë në gjendje që të përcaktojë qartë se cilat do të jenë hapat e radhës.
Pyetje: Çfarë ndodh tani? Tani përvishen mëngët?
Ministri Hasani: Janë disa nota për t’u marrë dhe ne duhet të angazhohemi te ajo dëftesa e madhe që këto nota ti kemi kaluese.
Pyetje: Zoti Ministër, cili mendoni që është kapitulli që kërkon më shumë punë..? Sepse të paktën këto ditë, është diskutuar edhe eksponentë të qeverisë edhe zyrtarë të lartë kanë thënë se, është krijuar ideja që kapitulli i drejtësisë, për shkak se reforma në drejtësi është bërë në përputhje dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe duket sikur aty jemi pak më mirë, sepse e kemi të shkruar nga ata. Por ka edhe kapituj të tjerë që ndoshta do të duhet më shumë punë.
Ministri Hasani: Unë mendoj që të gjithë kapitujt kanë rëndësinë e tyre. Padyshim që ne kemi bërë një punë shumë të mirë përsa i përket hapave të ndërmarra në reformën në drejtësi, dhe sidomos paketa e re e punës që ka nisur me reformë në luftën kudër korrupsionit. Këto janë themele të një angazhimi që në gjykimin tim modest, shumë vende të Bashkimit Evropian nuk i kanë pasur dhe nuk i kanë.
Apo shumë vende që kanë qenë në procese të ngjashme me tonat, procese anëtarësimi, nuk i kanë pasur në thellësinë dhe rëndësinë në të cilat janë dizajnuar dhe po shtrihen në Shqipëri. Kroacia përpara se të bëhej anëtare e Bashkimit Evropian pati disa shkëndija të ngjashme me reformën tonë në drejtësi. Rumania po ashtu.
Por aq esenciale, aq thelbësore, aq të mirë detajuar, aq të qartë edhe në gjithë perspektivën e saj sa reforma në drejtësi, nuk mendoj se e ka pasur njeri.
Për këtë është e vërtetë që ne jemi hapa përpara. Jemi vendi që kryesojmë në gjithë këtë angazhimin, përsa i përket rajonit.
Në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor ne jemi i vetmi vend që kemi qartazi një reformë të tillë në drejtësi dhe shikoj që edhe të tjerët nuk po marrin hapa të ngjashëm me këtë. Por kjo nuk domethënë që duke qenë diku më lart, të anashkalohen detyrimet e tjera. Është një ekip i madh, është një angazhim shumë i madh njerëzish, që po shohin me detaje të gjithë përpjekjen që ne na vjen nga kapitujt.
Dhe kjo pastaj përkthehet në kalendar pune dhe grup-kapitulli tjetër që ne po përgatitemi është grup-kapitulli i çështjeve të punëve të jashtme dhe sigurisë, që është një paketë e kryesuar do të thoja nga Ministria e Jashtme. Dhe për këtë, ne jemi gati edhe pretendojmë dhe shpresojmë që ta hapim brenda këtij viti.
Pyetje: Brenda këtij viti kalendarik, pra edhe dy muaj?
Ministri Hasani: Shqipëria është gati.
Pyetje: Nga kush varet, hapja e këtij grup-kapitulli të dytë?
Ministri Hasani: Si në rastin e grup-kapitullit të parë, përveç aspektit teknik që marrëdhënia e Shqipërisë me Komisionin Evropian ka arritur të qartësojë, të kristalizojë gjithë punën, ka nevojë edhe për angazhim politik të 27 vendeve anëtare. Por ne e kemi shumë të qartë punën dhe po vazhdojmë hapur të progresojmë në ato detyrime që kemi dhe prandaj them që grup kapitulli i dytë është jo vetëm gati nga ana jonë, por edhe i negociuar me 27 vende anëtare.
Pyetje: Pra kjo ka të bëjë edhe me Presidencën hungareze, që të mbyllet ky proces brenda Presidencës hungareze.
Ministri Hasani: Ka një moment shumë pozitiv me Presidencën hungareze, që ka qenë edhe me presidencën e mëparshme. Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha presidencat dhe po ashtu po përgatitemi edhe për presidencën polake që nis më 1 janar. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me konfigurimin e marrëdhënieve me një shtet të caktuar, ka të bëjë me faktin që ne dëshirojmë të avancojmë sa më parë, sa më shpejt, në mënyrë sa më të mirë.
Pyetje: Mirë edhe kur ke një shtet që ti ndihesh më komod. Ka të bëjë edhe me shtetin.
Ministri Hasani: Patjetër, por nuk kemi asnjë presidencë të BE-së, me të cilën ne nuk kemi këtë frymë. Është e rëndësishme që në gjithë këtë përpjekje që ne jemi angazhuar dhe kemi ndërmarrë, ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Komisionin Evropian.
Një komision i cili ka ndryshuar tërërisht metodologjinë e vet të punës dhe është përkthyer kjo në përparimin e madh të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Pyetje: Zoti Ministër, qytetarët çfarë përfitojnë nga ky moment, nga kjo fazë ku jemi. Ka një përftim të drejtpërdrejtë për qytetarët që mund ta ndjejnë në jetën e tyre, përveç burokracive evropiane, shkresave, ligjeve. Një gjë që mund ta ndjejnë drejtpërdrejt qytetarët?
Ministri Hasani: Së pari, Shqipëria vazhdon dhe do të vazhdojë të bëhet një vend që i përket familjes së demokracive, bazuar në sundimin e ligjit dhe ekonominë e lirë të tregut. I them këto dy detaje se janë shumë të rëndësishme në gjithë konfigurimin politik të angazhimit të qytetarëve tanë në raport me qeveritë. Dhe sa më shumë vendi ynë bëhet demokratik më shumë respektohet ligji dhe sa më shumë liritë e njeriut bazuar kryesisht në liritë dhe të drejtat themelore, por edhe mundësitë e tregut të lirë, këto e bëjnë qytetarin shqiptar gjithnjë e më të integruar në familjen e madhe të bashkësisë evropiane. Nga ana tjetër ka edhe përfitime direkte.
Plani i rritjes është një paketë, 922 milionë euro, të cilat do të jenë të dedikuara për Shqipërinë. Këto janë para të cilat do të injektohen në gjithë ekonominë dhe strukturat tona dhe do të bëjnë të mundur avancimin më të shpejtë të ritmit të reformave dhe të përqasjes së asaj që Shqipëria duhet të bëjë, në raport me faktin e të qenit shumë shpejt një vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Por dua të ndalem thelbësisht, që këtu nuk është vetëm një përfitim për para në xhepat e njerëzve.
Njerëzit po të shohim trendin e rritjes së rrogës, së pagës minimale të shtetasve të paktën në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria tashmë është një nga vendet kryesore për sa i përket pagës minimale.
Ka pasur një kërcim të rëndësishëm në të gjithë angazhimin që ka të bëjë me qytetarët dhe këto janë siç është thënë shpesh, këto janë reforma dhe angazhime, të cilat nuk bëhen thjesht për faktin për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian, këto janë reforma dhe angazhime, të cilat bëhen për qytetarët shqiptarë, për përmirësimin e jetesës së tyre.
Dhe këtu kemi të bëjmë me përputhjen e dy mundësive: Rritjen e angazhimit të të drejtave, lirive dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, me faktin që ne këto, po i bëjmë edhe në raport me anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Pra, ne nuk kemi kushte nga BE, që të bëjmë të mira për qytetarët shqiptarë. Kam përshtypjen që janë dy gjëra të cilat komplimentojnë njëra-tjetrën.
Pyetje: 2030 është një objektiv i arritshëm zoti Ministër, duke parë edhe situatën gjeopolitike, duke parë edhe situatën brenda Bashkimit Evropian, duke parë që deri në vitin 2030, nuk e dimë çfarë mund të ndodhë me vetë Bashkimin Evropian.
Se kemi forca në Francë, që Le Pen me shumë gjasa mund të vijë sërish në pushtet dhe pastaj nuk dihet çfarë mund të ndodhë.
Ministri Hasani: Përmenda disa herë Komisionin Evropian. Ne kemi pasur një Komision Evropian, i cili vite më parë nuk e kishte zgjerimin temën e vet kryesore, madje për një moment u tha që ne të vazhdojmë në një mënyrë të caktuar dhe gjërat do vazhdonin për vendet kandidate në mënyrë të caktuar. Tani kemi një Komision Evropian i cili është thellësisht i fokusuar tek zgjerimi. Kemi një Komision Evropian që e kupton se ajo që ndodhi në Ukrainë, agresioni rus ndaj Ukrainës ka ridimensionuar totalisht marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me vendet partnere dhe procesi më natyral i zgjerimit të Bashkimit Evropian është Ballkani Perëndimor.
Pyetje: Edhe pa merita apo shkak të situatës gjeopolitike, mund të ndodhë siç ka qenë rasti i NATO-s për shembull, se duhet ta pranojmë të gjithë që nuk kemi qenë gati.
Ministri Hasani: Ne kemi qenë gjithmonë gati. Çdo vend anëtar, përsa i përket anëtarësimit në NATO ka pasur një rrugë të qartë, të cilën e ka përmbushur. E njëjta histori ndodh edhe me Bashkimin Evropian. Objektivat janë të qarta, rruga është e qartë, grup-kapitujt, e gjithë negociata është thelbësisht e qartë. Ne kemi edhe një dakordësim në vija të përgjithshme me Komisionin Evropian, për sa i përket afateve dhe procedurave për hapjen e grup-kapitujve dhe kapitujve të caktuar, por dhe mbylljes së tyre. Kështu që mendoj që 2030, jo vetëm është një target i qartë, por detyrimet u përmbushën shumë kohë më parë. Flas për detyrime teknike, pastaj është pjesa patjetër e një negociate politike, që të gjithë këto angazhime, si në rastin e çdo organizate ndërkombëtare, duhet të ratifikohen në çdo vend anëtar.
Pyetje: Një mesazh për të gjithë qytetarët, që janë të lodhur, janë mërzitur me këto burokracitë e Bashkimit Evropian, zvarritje.. Çfarë i thoni qytetarëve shqiptarë në këto ditë, dhe a është legjitime lodhja e tyre?
Ministri Hasani: Kam përshtypjen që këtu kemi opinione të ndryshme. Për mendimin tim, qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë më optimistët, më euro-optimistët. Përsa i përket vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri ka komplet një frymë tjetër, që ndoshta në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk është kaq e avancuar sa këtu në Shqipëri. Ka një progres të mirë të shoqërisë shqiptare, drejt të qenit natyralisht anëtarë të Bashkimit Evropian. Ne jemi, padyshim për arsye të gjata historike, që nuk kanë nevojë që ne t’i diskutojmë këtu. Ne jemi një vend evropian, kulturë, shoqëri, por nga ana tjetër, ne po i afrohemi gjithnjë e më shumë të qenit dhe në mënyrë të menduarit evropianë. Kështu që, nuk them dhe nuk mendoj që ka ndonjë lodhje të madhe nga shqiptarët për burokracinë evropiane. Patjetër, rregullat janë rregulla, mekanizmat janë mekanizma dhe ne ndoshta kemi vuajtur në gjithë këtë periudhë, që nga pavarësia e shtetit shqiptar, për mekanizmat të cilat ishin të mirëpërcaktuara. Kemi pasur një shoqëri post-otomaniste në vitet ‘20. Pastaj kemi kaluar nëpër pushtime, diktatura dhe vite tranzicioni, të cilat duhej që të konsolidonin mekanizmat. Dhe për fat të mirë, ne këtë gjë po e bëjmë duke u bërë anëtarë të logjikshëm, të natyrshëm të Bashkimit Evropian.
Pyetje: Zoti Ministër, me lejen tuaj, dua të ndërroj pak kapitull dhe temë. Dua të ndalem pak te marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Është folur shumë për Shqipëri-Greqi, çështja Bejleri. Si janë tani marrëdhëniet, pas çështjes Beleri dhe duke pritur, që Beleri për pak ditë do të vijë si pjesë e një grupi eurodeputetësh në Tiranë.
Ministri Hasani: Ne me Greqinë kemi një partneritet strategjik, të cilin e kemi të qartë në shumë pikëpamje. Greqia është një fqinj shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, ashtu siç edhe ne, Shqipëria është një fqinj shumë i rëndësishëm për Greqinë. Në rajonin ku jemi, është e rëndësishme që angazhimi të jetë sa më konstruktiv, sa më i mirë, sa më i hapur. Dhe kam përshtypjen që me Athinën zyrtare ne i kemi pasur gjithmonë këto. Emrat e përveçëm janë thjesht aksidente në historinë e marrëdhënieve midis dy popujve. janë marrëdhënie të cilat janë shekullore, janë të konsoliduara dhe vazhdojnë të jenë në thelbin e gjithë përpjekjes.
Pyetje: A janë aty ku duhet, në këtë moment?
Ministri Hasani: Greqia, Athina ishte tepër konstruktive. Po marrim rastin e hapjes së grup-kapitullit të parë dhe ne patëm një mirëkuptim në të gjithë angazhimin që patëm. Është e rëndësishme që ne t’i shohim gjërat në një optikë sa më të përbashkët dhe kam përshtypjen që po e arrijmë këtë. Bëhet fjalë për një vend të Bashkimit Evropian, një vend të rëndësishëm, i cili në momente të rëndësishme ka qenë një fqinj, i cili është përpjekur për të mirën dhe për vazhdimësinë e projekteve të dedikuara për të ardhmen e Shqipërisë.
Pyetje: Zoti Ministër, me Greqinë janë dy çështje, kemi shumë çështje, por dy janë që janë artikuluar nga dy qeveritë. Marrëveshja për kufirin detar, në çfarë pike është?
Ministër Hasani: Nuk kemi ndonjë element të ri. Të dyja palët kanë shprehur një qëndrim të caktuar, në një moment të caktuar. Por dinamika e angazhimit ka qenë e tillë, që përpjekjet janë fokusuar në drejtime të caktuara dhe të paktën duhet të jemi të qartë, që temat merren një nga një. Padyshim që angazhimi është i madh.
Pyetje: Por ka mbetur aty ku ka qenë, nuk ka asnjë hap përpara?
Ministri Hasani: Nuk ka hapa përpara, për sa kohë që kemi pasur të dy, edhe Tirana dhe Athina, kanë qenë të angazhuara me çështje të tjera. Mos të harrojmë që ju mund të thoni dy çështje, po unë kam shumë e shumë çështje, të cilat kanë nevojë për vëmendjen e duhur nga të dy palët.
Dhe nga ana tjetër, duhet të jemi koshient që vazhdimi i angazhimit është gjëja më e rëndësishme. Dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë me Athinën, me kolegët grekë. Për punë ditësh, këtu do të jetë zëvendësministri i jashtëm grek që merret me çështjet ekonomike. Ne do të vazhdojmë diskutimet, jo vetëm për tema të rëndësishme për opinionin publik, të cilat janë atraktive, por ndoshta kanë marrë 90% të vëmendjes, por edhe tema të tilla si pensionet. Kemi një angazhim, kemi një negociatë që kemi nisur për energji elektrike e me radhë, të cilat krijojnë në mënyrë më të mirë një konglomeratë angazhimi shumë të rëndësishëm, me një vend shumë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian dhe një vend shumë të rëndësishëm fqinj.
Pyetje: Mund të bëjmë një parashikim zoti Ministër? Kur mund të zgjidhet çështja e detit sipas jush, në rastin më të mirë, në rast se palët dakordësohen?
Ministri Hasani: Mirë është mos të vëmë afate, për një angazhim, i cili ka nevojë për një përgjigje serioze. Pra mos të jenë afatet ato që ndikojnë tek serioziteti i përgjigjes.
Pyetje: Të ndalojmë pak te rajoni ynë, tek Ballkani Perëndimor. Fillimisht po e nis me Kosovën. Si janë marrëdhëniet e Tiranës me Prishtinën?
Ministri Hasani: Të shkëlqyera. Dhe këtu citoj kryeministrin Kurti, i cili në një intervistë të para ca ditëve, e ka shprehur hapur që nganjëherë vetëm lajmet e këqija përbëjnë lajm. Ne e dimë këtë. Dhe lajmet e mira asnjëherë nuk përbëjnë lajm. Kosova është pika kryesore e punës së politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Gjithmonë ka qenë, edhe në momentet më të vështira të shtetit shqiptar. Ka qenë fokusi, tek ajo që ndodhte apo ndodh aktualisht në Kosovë.
Kemi një angazhim shumë të fortë, kemi një angazhim direkt, kemi një marrëdhënie që duhet marrë për shembull, në raportet që dy vende kanë në kushtet aktuale. Dhe ne vazhdojmë të punojmë në një mënyrë organike për tema të rëndësishme.
Pyetje: Pse nuk duket kështu zoti Ministër?
Ministri Hasani: Çështje perceptimi.
Pyetje: Përplasjet mes Ramës dhe Kurtit
Ministri Hasani: Nuk shohin ndonjë përplasje për asgjë. Nuk shoh ndonjë përplasje për asgjë substanciale. Nuk shoh ndonjë përplasje, për tema që kanë të bëjnë me ardhmërinë e Kosovës, me njohjen e Kosovës si vend i pavarur dhe për tërësinë dhe integritetin e territorit të saj.
Nuk shoh asnjë përplasje, për angazhimin që ka Shqipëria për maksimalizimin e përpjekjes, që Kosova të jetë sa më pranë Bashkimit Evropian. Të jetë një vend që të hapë, apo të shkelë gjithë ato etapa, të cilat vendet tjera i kanë shkelur dhe të përparojë në mënyrë sa më të shpejtë, pasi bëhet fjalë për vendin, patjetër me një demokraci vibrante. Një vend thelbësisht pro euroatlantik, konkurron me Shqipërinë në përqindjet e dëshirës për të qenë sa më pranë dhe sa më shpejt familjes euroatlantike. Dhe për një realitet që është vetëm pozitiv, me njerëz që po shtyjnë përpara për të pasur një shoqëri dhe ata sa më të shpejtë europianiste.
Pyetje: A duhet të hapet ura mbi lumin Ibër, zoti Ministër?
Ministri Hasani: Nuk është pyetje a duhet hapur. Patjetër që ura duhet hapur. Nuk ka qenë ndonjëherë në pyetje duhet apo s’duhet. Padyshim që nuk mund të ketë ura dhe nuk mund të ketë ndarje, në realitetet të cilat ne të gjithë i kemi krijuar. Ajo që ne kemi thënë, ka qenë çdo hap duhet të koordinohet. Flasim për të njëjtën logjikë, për të njëjtat veprime, për të njëjtën mënyrë të menduarit, por flasim nganjëherë për metoda pak të ndryshme pune. Ajo që ne kemi folur, propozuar, këshilluar, ka qenë gjithmonë që veprimet të ndërmerren të koordinuara.
Pyetje: Pse duhet Kosova të pyesë ndërkombëtarët, për një gjë që ata vetë e thonë që është e ligjshme?
Ministri Hasani: Detyrimi i shtetit amë, detyrimi i Shqipërisë është që gjithmonë të përcjellë mesazhe pozitive dhe konstruktive, ndaj të gjithë atyre, që janë të angazhuar për çështjen e shqiptarëve në rajon. Ne e shikojmë si shumë të rëndësishme, që çdo përpjekje, që ka të bëjë me stabilitetin e secilit prej nesh, të jetë e mirë koordinuar me aleatë tanë kryesorë, dhe aleatët kanë qëndrime, të cilat siç edhe e thashë, janë plotësisht në të njëjtën linjë me atë që ndonjëri nga ne mendon se duhet bërë. Por mënyrat janë pak të ndryshme. Hajde të përshtatim dhe mënyrat sesi merren vendimet dhe ka shembuj shumë të mirë, të paktën po flas për Shqipërinë; Në momentin që Shqipëria ka vepruar në përputhje dhe në angazhim të njëjtë me atë që i kanë thënë aleatët e vetë, rezultatet kanë qenë shumë herë më të mira.
Pyetje: Sa e dëmton Kosovën e gjithë kjo çfarë ka ndodhur zoti Ministër? Mosrakordimi me partnerët ndërkombëtarë, vendosja e sanksioneve dhe gjithçka tjetër. Sa e dëmton gjithë këtë proces në të cilën Kosova është?
Ministri Hasani: Unë dua ta shoh të gjithë gjënë pozitive. Unë dua që vëllezërit dhe motrat tanë në Kosovë, të përgatiten për të qenë sa më shpejt e sa më parë, pjesë e një familjeje të madhe, pjesë e familjes euroatlantike. Edhe të gjitha përpjekjet që ata duhet të bëjnë, të ndihmuar nga ne, të mbështetur nga ne, duhet të jenë për ta bërë Kosovën, një vend sa më shpejt kandidat të Bashkimit Evropian, edhe kandidat të anëtarësimit në NATO. Por këto janë hapa, të cilat duhet të jenë të mirëllogaritura.
Pyetje: Statusin e vendit kandidat, të paktën duhet ta kishte marrë Kosova, apo jo?
Ministri Hasani: Nuk kam asnjë mendim ndryshe. Jam partizani më i madh i gjithë përpjekjes që kolegët në Prishtinë po bëjnë, që ta shtyjnë flamurin euroatlantik në përpjekjet e tyre.
Pyetje: Marrëdhëniet e Tiranës me Beogradin si janë zoti Ministër? Duke parë reagimet, kundër reagimet, sulmet, gjithçka çfarë orkestrohet në Beograd kundër Kosovës. Janë më të mirat e mundshme apo jo?
Ministri Hasani: Varet ku e vëmë lupën. Në qoftë se do bëjmë një bisedë të dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet apo njëzet e pesë viteve, e gjithë mënyra e trajtimit të kësaj gjëje do të varionte në vartësi të momentit të vënies së lupës. Për ne, ajo që është e rëndësishme, është që në rajon, me vëndet e rajonit, do të vazhdojmë përpjekjen tonë konstruktive për një të ardhme të përbashkët sa më pozitive. Por kjo pa kompromise, në çështjet që janë thelbësisht të rëndësishme për shtetin shqiptar, për Republikën e Shqipërisë, por edhe për interesat tona jetike që kanë të bëjnë me ardhmërinë e Kosovës në radhë të parë. Siç edhe e thashë, çështja e Kosovës është tema kryesore e punës së Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Dhe këtu nuk ka kompromis. Ne vazhdojmë të mbështesim fort dialogun Prishtinë- Beograd. Dhe vërtetë shpresoj që me konfigurimin e ri të Komisionit Evropian. Me konfigurimin e ri të njerëzve, që do të jenë të angazhuar për të…
Pyetje: Keni dhe ju ndonjë kritikë për ata të vjetrit, se Kosova ka pasur si për Lajçak, si për zotin Borrell.
Ministri Hasani: Me shpresën që gjithë angazhimi i Komisionit Evropian, tashmë me një komisioner, që do të merret ekskluzivisht me zgjerimin dhe me angazhimin e Komisionit për dialogun Prishtinë-Beograd, me energji të reja me dinamika të reja, gjërat ndryshojnë dhe ndryshojnë për mirë.
Për fat të keq, i gjithë rajoni ka qenë i përfshirë, flas për vitin 2024, ka qenë i përfshirë në fushata elektorale. Dhe retorika ka shkuar ndoshta jo në drejtimin e duhur, nuk ka shkuar në drejtimin e përmbushjes së angazhimeve të përbashkëta dhe përpjekjes për t’u afruar sa më shumë. Por ka marrë ngjyrime të cilat kanë qenë pak shtytëse karshi njëra-tjetrës, plus faktit që ky vit ka pasur zgjedhje në Bashkimin Evropian.
Për pak javë do kemi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Për pak javë do kemi konfigurimin e ri të Komisionit Evropian. Këto janë dinamika që do të bëjnë një dimër 2024-2025 edhe më interesant. Por që për këtë, ne do të vazhdojmë të jemi jo vetëm të fokusuar fort, por edhe të mirëangazhuar në mënyrë që të përgatitemi për të pasur vëmendjen maksimale ndaj temave të rëndësishme që kanë të bëjnë, nga gjërat më elementare që janë shqiptarët, kudo ku janë. Isha para pak ditësh me kryetaren e Komunës së Preshevës…
Pyetje: Doja të pyesja për shqiptarët e Luginës, sepse shpesh herë ata thonë që Tirana nuk bën aq sa duhet për Luginën e Preshevës.
Ministri Hasani: Asnjëherë nuk mjafton ajo që bën Tirana për asnjë shqiptar. Nuk është e mjaftueshme për asnjë, qofshin këta të Luginës së Preshevës, qofshin këta të Republikës së Kosovës, qofshin këta shqiptarë kudo ku gjenden, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi apo në diasporë. Dhe ne nuk do e lëmë me kaq. Ne kemi filluar një angazhim, them serioz. Duke nisur qoftë edhe nga struktura e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kemi një drejtori që merret ekskluzivisht me faktorin shqiptar në rajon. Kemi një vëmendje më të theksuar politike, por siç e thashë, nuk mjafton asnjëherë ajo që bëjnë për shqiptarët kudo ku janë. Me kryetaren e Komunës së Preshevës diskutuam për tema të rëndësishme, por dhe për përditshmërinë. Sepse është përditshmëria ajo që nganjëherë krijon shumë ngjyrime, të cilat mund të krijojnë situata të caktuara në të ardhmen.
Pyetje: Thuhet që shqiptarët e Luginës së Preshevës janë shqiptarët më të diskriminuar në rajon. Jeni dakord?
Ministri Hasani: Na duhet që të punojmë sa më shumë, që shqiptarët kudo ku janë të ndihen të mirë integruar, të mirë trajtuar dhe të angazhuar në shoqëritë ku ata kontribuojnë, si anëtarë të barabartë dhe me vlera shumë të mira, siç ata vërtetë janë.
Flasim për angazhime dhe njerëz, të cilët në gjithë përpjekjen e tyre politike janë të fokusuar drejt të ardhmes euroatlantike të vendeve, ku ata kontribuojnë. Dhe kjo është një vlerë e shtuar e një angazhimi, që pa dallim gjeografik, kudo ku janë, shqiptarët e vërtetojnë gjithmonë dhe çdo ditë.
Pyetje: Zoti Ministër ndalemi pak te Maqedonia e Veriut. Si janë marrëdhëniet me qeverinë e re, me pjesën shqiptare të qeverisë, si janë këto marrëdhënie? Opozita e atëhershme dhe pjesa e qeverisë sot, ju kanë akuzuar që Tirana nuk ka bërë aq sa duhet dhe nuk i ka mbështetur, duke mbështetur një kandidat tjetër. Është e vërtetë kjo, apo jo?
Ministri Hasani: Nuk më rezulton për asnjë moment kështu. Jemi në raporte ditore angazhimi, jo vetëm me ministrat shqiptarë në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por edhe me Ministrinë e Jashtme, kolegët e Ministrisë së Jashtme dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pasi, padyshim që e gjithë përpjekja është për një vend fqinj dhe partner. Jemi të dy aleatë në NATO me projekte të mëdha të përbashkëta. Kemi një angazhim shumë serioz që ka të bëjë më korridorin 8.
Pyetje: Por, duket se është një plan që do ndryshojë, do bëhet korridori 10, flitet për Beograd-Shkup-Athinë .
Ministri Hasani: Janë dy projekte që kryqëzohen në Maqedoninë e Veriut. Por duhet të progresojnë, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra dhe ne kemi dakordësinë, logjikën, por edhe mbështetjen për të vazhduar punën në korridorin 8. Korridor, i cili jo vetëm nga pikëpamja e anëtarësimit të vendeve tona në Bashkimi Evropian, por edhe lëvizjes më të lehtë të mallrave, njerëzve dhe kapitaleve në këtë aks, i cili ndihmon edhe NATO-n, për gjithë logjikën e planeve të punës, edhe planeve dhe angazhimeve që ajo ka. Në mënyrë që të ketë një lidhje sa më natyrale dhe sa më të shpejtë nga Italia e Jugut, përmes Shqipërisë, në Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Rumani apo Turqi e me radhë.
Pyetje: Zoti Ministër, Aleksandër Vuçiç është në këto momente në Kazan, duke u takuar me Vladimir Putin. Sa evident dhe sa i madh është ndikimi i Rusisë në këtë pjesë të botës. A vijon të jetë me të njëjtat ritme në gjithë këto shtete që përmendëm, përfshirë këtu edhe Malin e Zi.
Ministri Hasani: Për ata që ndjekin edhe përpiqen që ta bëjnë gjithmonë një hap mbrapa, apo ta bëjnë ‘zoom out’ lupën e mendimit. Shumë nga hapat e asaj që ndodhën, historive tragjike që ndodhën gjatë luftërave gjakatare në shpërbërjen e Jugosllavisë, u shfaqën në agresionin rus ndaj Ukrainës dhe për fat të keq ka elementë që po kthehen. Ka një tentativë që këto elementë të kthehen në Ballkanin Perëndimor dhe këtu i referohem ngjarjeve në veri të Kosovës, trembëdhjetë muaj më parë. Është e njëjta metodologji e asaj që ka ndodhur në vitet ’90. Ka marrë ca nuanca më sovjetike në lindje dhe është kthyer prapë me agresivitet. Ajo që është e rëndësishme është që ne duhet të vazhdojmë të kemi një emërues të përbashkët, që është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, i të gjitha shoqërive, që kanë të bëjnë të paktën me rajonin tonë dhe në mënyrë sa më të shpejtë, në mënyrë sa më të detajuar, pasi kjo do të bëjë që shumë nga pikëpyetjet aktuale, të cilat janë ëndrra, nganjëherë të krijuara nga realitetet pak të çuditshme, si takimi që ju po i referoheni. Të mos shndërrohen në gurë themeli, për atë që ka të bëjë me të ardhmen e vendeve tona. Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor janë kandidatë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Realitetet e tjera janë pak absurde, janë pak jo reale, janë pak mekanizma më shumë për propagandë politike, sesa për hapa aq të qarta, sa i ka BE në raport me ne.
Pyetje: Por ndikimi i Rusisë vijon të jetë?! Duket sikur jemi majmun, ndoshta ngaqë jemi i vetmi komb që nuk jemi sllavë.
Ministri Hasani: Ka dhe kombet tjera që nuk janë sllavë. Në Shqipëri, ka një pozicionim që është shekullor dhe shumë i qartë. Në Shqipëri ka një përqindje dërrmuese, përsa i përket orientimit që kanë njerëzit tanë, vëllezërit, motrat tona, familjet tona, komshinjtë etj, për të qenë qytetarë evropianë, qytetarët të një familje euroatlantike, pro-perëndimorë, pro-amerikanë etj. Dhe kjo është aq evidente, saqë unë nuk kam mundur të gjej deri më sot një të zgjedhur nga populli, që të mos mendoj kështu. Janë gjithë të zgjedhurit nga populli, që për arsye të ndryshme mendojnë ndryshe për çështjet e brendshme, por për rrugën e familjes tonë e kanë vetëm një, që është familja euroatlantike. Influencat e huaja do të jenë, influencat e huaja nuk po i minimizoj, por vëmendja është e madhe, pasi ngjarjet kanë qenë të rënda. Sulmi kibernetik që ndodhi dy vjet më parë ishte një goditje në tentativë tepër e institucionalizuar kundër strukturave të qeverisë shqiptare. Dhe për këtë ne vazhdojmë, jo vetëm të japim vëmendje maksimale, por dhe ta angazhohemi sa më shumë në ato nisma, në ato mekanizma, që na bëjnë të mundur të jemi sa më mirë të barrikaduar, me kolegë, me vende tjera, me vende aleate, me vende partnere, në mënyrë që të përballemi me këto sfida.
Sot, është fakt që multilateralizmi po vuan. Dhe vlerat për të cilat ne angazhohemi janë vënë në pikëpyetje. Është një luftë midis demokracive dhe demokaturave. Dhe ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi, që familjet demokratike mos të bien pre asnjëherë e gjithë tentativave të këtyre demokraturave, për krijimin e perceptimit të realiteteve të tjera.
Pyetje: Zoti Ministër, po e mbyll këtë bisedë, me një ligj të hedhur për konsultë në publik, për të parë dhe për të ditur ku jemi, me ligjin që ju keni bërë publik për Shërbimin e Jashtëm.
Çfarë sjell ndryshe ky projektligj? Çfarë do ndryshojë në shërbimin e jashtëm deri tani? Pse duhet mbi të gjitha ky ligj?
Ministri Hasani: Çdo legjislacion ka nevojë për rifreskim, bazuar në realitetet në të cilat ne jetojmë. Shërbimi i Jashtëm operonte me një legjislacion të 10 viteve më parë. Ndërkohë, kanë ndodhur aq shumë ndryshime dhe ngjarje, të cilat kanë nevojë…
Pyetje: Duket sikur diplomacia ndonjëherë nuk ndryshon kaq shpejt, duhen me dekada…
Ministri Hasani: Po ja, një detaj që doja ta ndaja me ju. Ka të bëjë me përfaqësimin tashmë jo vetëm gjeografik që ne do të bëjmë, do të ketë edhe përfaqësim tematik. Shqipëria do të ketë përfaqësues special, që do të jenë të ngarkuar për një temë të caktuar, kërcënimet hibride, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e grave etj. Pra, nuk do flasim vetëm për ambasadorë gjeografikë, por do ketë edhe të dërguar tematikë. Do jenë punonjës të shërbimit të jashtëm, që do të angazhohen në një fushë dhe temë të caktuar dhe me një qëllim të caktuar. Së dyti, ne flasim shpesh për diasporën dhe flasim për të gjitha ato kapacitete, të cilat në një mënyrë ose tjetër, ne duhet t’i përthithim dhe t’i kthejmë në Shqipëri.
Me propozimin e ri në ligjin për shërbimin e jashtëm, do t’u hapet dera të gjithë atyre shqiptareve dhe shqiptarëve, që punojnë në organizatat ndërkombëtare, për t’u bërë pjesë e shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Por jo duke filluar nga zero, nga minimumi i angazhimit, por duke iu konvertuar ato vite që kanë punuar në organizatat ndërkombëtare, në vite pune të shërbimit të jashtëm.
Pyetje: Pra, nuk fillon me gradën me të ulët në shërbimin diplomatik?
Ministri Hasani: Nuk fillon nga zero, por fillon me atë gradë që i takon angazhimit që ka pasur, i konvertuar angazhimi, që ka pasur në organizatat ndërkombëtare ku punonin.
Nga ana tjetër, legjislacioni në fuqi, me shumë të drejtë, penalizonte bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Por ne kemi vendosur një element të ri, që janë punonjësit e Sigurimit të Shtetit, që nuk do jenë më pjesë e shërbimit të jashtëm. Të gjithë punonjësit e shërbimit të jashtëm do të pajisen me certifikatë sigurie, për nivele të caktuara.
Janë shumë e shumë ngjyrime, të cilat bëjnë të mundur, që në radhë të parë ky ligj i ri për shërbimin e jashtëm, t’i përshtatet sa më shpejt realiteteve legjislative të cilat kemi në Republikën e Shqipërisë.
Si dhe të krijojnë një mundësi më të mirë, për të gjithë këta diplomatë, njerëz të angazhuar prej vitesh në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, të jenë në nivelin e duhur dhe në trajtimin sa më të mirë të atij angazhimi që kanë.
Pyetje: Raportet politike-diplomatike ndryshojnë të ambasadorëve? E kam fjalën për përqindjen e ambasadorëve që dërgohen nga politika dhe diplomatëve.
Ministri Hasani: Nuk ka një përkufizim përqindjesh, në paketën aktuale të ligjit për shërbimin e jashtëm. Janë ca rudimente të futura, të marra, të kopjuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këto janë kopjime që janë bërë në fund të viteve ’90 dhe me kalimin e viteve janë kuptuar, që janë momente të cilat vetëm krijojnë probleme keqinterpretimi dhe është ecur përpara me atë realitet që kemi.
Pyetje: Çfarë do të sjellë ndryshe ky ligj? Çfarë ndryshon në fytyrën e shërbimit të jashtëm?
Ministri Hasani: Dinamika, angazhimi, qenia kudo prezent. Konfigurimi më i mirë jo vetëm gjeografik, pra nuk do ketë vetëm ambasada klasike në një territor të caktuar, por do të ketë edhe përfaqësues të veçantë specialë, që do të merren me një temë të caktuar, apo me një rajon të caktuar, apo me një grup njerëzish të caktuar.
Pyetje: Zonat që duan mbulim me ambasada zoti Ministër?
Ministri Hasani: Kemi hapur. Sot që flasim, janë dy Ambasadorë të rinj në detyrë në dy ambasada të reja në Baku, Azerbajxhan dhe në Kiev, në Ukrainë. Kemi edhe dy Konsuj të Përgjithshëm në Strugë dhe në Ulqin. Sot që po flasim, pra, të katër kolegët kanë filluar punën.
Nga ana tjetër, ne kemi bërë të mundur që të hapim një përfaqësi diplomatike në Indi, Indonezi dhe në Kenia. India është fuqia e pestë ekonomike e botës, me projeksionin për të qenë e treta. Indonezia është një vend i rëndësishëm, është vendi më i madh mysliman në botë dhe ne kemi munguar për gati një dekadë në Paqësor. Dhe Kenia, sepse jo vetëm që ne e kemi humbur, për fat të keq me rënien e komunizmit, praninë në Afrikën Sub-Sahariane. Por, në Nairobi është edhe selia e katërt e Kombeve të Bashkuara, pas Nju Jorkut, Gjenevës, Vjenës, është Nairobi ku janë përqendruar kryesisht organizatat që kanë të bëjnë me klimën dhe ambientin. Kemi diskutim shumë të mirë me ministren e Turizmit, për të qenë pranishëm sa më shpejt aty, edhe së bashku.
Kjo logjikë do të bëjë, që edhe në vitin tjetër, në vitin e ri buxhetor, ne të fillojmë të shtrijmë pak praninë. Pasi, po e them me pak vështirësi faktin, që ne jemi të mirëpranishëm në vendet e Bashkimit Evropian, por pjesën tjetër të botës, nuk e kemi trajtuar aq mirë, sidomos përsa i përket njëzetë viteve të fundit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk e ka pasur përfaqësimin aq konkret, kur flas për Afrikën, kur flas për Amerikën Latine, kur flas për pjesën e Paqësorit, kur flas për vende të rëndësishme si India, etj.
Pyetje: Zoti Ministër, në fund ta mbyllim me një mesazh për të rinjtë, që e shohin me shumë admirim këtë punën e diplomatit.
Ministri Hasani: Është një emocion shumë i bukur, në momentin që e bën dhe je dita-ditës i angazhuar, për të shkruajtur gjëra, të cilat eprori direkt, një titullar i ministrisë apo një personalitet i vendit, i shpreh në publik.
Është një punë e cila të krijon lidhje, marrëdhënie, situata, që nganjëherë i lexon vetëm nëpër libra, edhe këto janë mundësi, që çdo i ri, apo çdo e re në Republikën e Shqipërisë, mund ta konsiderojë.
Janë ato mundësi të cilat drejtojnë në një mënyrë ose në një tjetër, të ardhmen e një të riu apo një të reje. Edhe kjo është arsyeja, që edhe tek ligj i ri për shërbimin e jashtëm, por edhe në mënyrën se si nevojat na çojnë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të paktën këto dhjetë vjet. Është gjithmonë fokusi tek të rinjtë, tek angazhimi me ata njerëz, që ndoshta përbëjnë vetëm 30% të së tashmes, por janë 100% e të ardhmes.