Kancelarja gjermane Angela Merkel në Shqipëri
Kancelarja Federale gjermane Angela Merkel e vizitoi për herë të parë Shqipërinë më 8 korrik të këtij viti. Në një segment kohor të shkurtër, ajo u takua me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Presidentin e Republikës Bujar Nishani. Në fundin e vizitës, ajo asistoi në seancën përmbyllëse të Konferencës Ekonomike Gjermano-Shqiptare në Tirana Business Park, ku edhe mbajti një fjalim.
Temat e bisedave me zyrtarët e shtetit shqiptar ishin të përmbledhura në marrëdhënietdypalëshe dhe rajonale, rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, problemin e emigracionit, reformën në Drejtësi, rininë edhe ekonominë.
Pas marrjes së statusit kandidat për në BE në korrikun e kaluar, Gjermania mbështet gjithashtu Shqipërinë për përafrimin e mëtejshëm në BE – u shpreh Merkel. Përsa i përket hapjes së bisedimeve për anëtarësim, Merkel theksoi se për këtë qëllim nuk janë përcaktuar afate të qarta, por duhet të jenë vendet kandidate të parat që duhet të plotësojnë disa objektiva të caktuara. Ajo vlerësoi marrëdhëniet ekonomike, por nga ana tjetër shpjegoi se ka ende mundësi të shumëllojshme për t’i zgjeruar ato, si p.sh në fushën e turizmit, furnizimit me energji elektrike apo telekomunikacionit.
Kurse kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se: “Kancelarja Merkel e kupton pa u habitur vështirësinë e vendeve evropiane të dala pas perdes së hekur për t’u përshtatur me kulturën e punës evropiane. Shqipëria i ka rënë të paguaj edhe koston më të lartë pasi për vendin tonë izolimi ishte edhe më i shtrenjtë. Ne kuptuam të vërtetën e pamëshirshme se për ta bërë Shqipërinë si Europa do na duhej më shumë kohë se ditët që na u deshën për të rrëzuar regjimin. Nivelin e zhvillimit të vendit nuk e përcaktojnë ato që kemi por ato që dimë. Nëse ka diçka të pazëvendësueshme dhe të pakonkurrueshme në alternativën e integrimit në BE është potenciali i madh i dijes.”…
Për emigracionin të dy zyrtarët e lartë pohuan se Shqipëria nuk është vend, nga i cili pranohen kërkesat për azil. Por, nga ana tjetër, u fol shumë për mundësitë që paraqet potenciali i të rinjve dhe rrugët që duhet të gjenden për mbështetjen e tyre, si p.sh duke njohur diplomat në profesione të kërkuara.
Vizita në Tiranë ishte stacioni i parë i udhëtimit të Kancelares Federale në Ballkanin Perëndimor. Pas Shqipërisë ajo vizitoi Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.