Në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi organizoi një pritje festive me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të trupit diplomatik, institucioneve greke, medias, akademisë, sipërmarrjes dhe komunitetit shqiptar në Greqi.
Të pranishmit u përshëndetën me fjalën e rastit nga Ministri Igli Hasani dhe Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, të cilët evidentuan rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe për bashkëpunimin, paqen, investimin në njerëz dhe besimin në një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Takimi shërbeu si një moment i rëndësishëm për promovimin e progresit të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj partnerëve tanë grekë dhe ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces.
Në fjalën e tij drejtuar shqiptarëve në Greqi, Ministri Igli Hasani shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre të palodhur ndër vite, duke krijuar një urë të gjallë dhe të pazëvendësueshme mes dy vendeve. Ai shprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për të qëndruar gjithmonë pranë komunitetit shqiptar me shërbime më të mira konsullore, me mbështetje për arsimin dhe kulturën shqiptare, si dhe me politika që njohin dhe vlerësojnë rolin e diasporës në zhvillimin e vendit. _“Kurdo që të vendosni të ktheheni, Shqipëria është aty, me zemër të hapur për ju. Faleminderit për gjithçka që përfaqësoni. Shqipëria është krenare për ju” – theksoi Ministri Igli Hasani.