Në datat 1-3 dhjetor 2023 u mbajt me sukses në Athinë, Forumi i 2-të Ndërkombëtar i Sipërmarrjes së Grave, një organizim i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës (EBEA) në bashkëpunim me Rrjetin Kombëtar të Grave Sipërmarrëse të Dhomave të Tregtisë të Greqisë (EEDEGE), nën kujdesin e Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Zhvillimit të Greqisë, Prefekturës së Atikës, Bashkisë së Athinës dhe Shërbimit Publik të Punësimit të Greqisë. Gjatë këtij Forumi zyrtarë të lartë të qeverisë qendrore dhe vendore, drejtues të lartë biznesi dhe sipërmarrës nga fusha të ndryshme patën mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe ide, duke promovuar çështje që kanë të bëjnë me sipërmarrjen e grave. Gjithashtu gra sipërmarrëse nga e gjithë bota patën mundësi të zhvillojnë takime dhe të ndajnë përvojat e tyre, duke zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit.
Përfaqësuesja nga Shqipëria, znj. Valbona Begolli, themeluese e Dhomës Ekonomike të Gruas së Shqipërisë dhe drejtuese e ALB Group, e ftuar si folëse kryesore në panelin titulluar “Të thyesh barrierat”, u ndal në përvojën e saj të transferimit të biznesit nga Greqia në Shqipëri pas shumë viteve emigrimi, duke renditur sfidat dhe arritjet e shumta gjatë këtij procesi. Lidhur me gratë në sipërmarrje, znj.Begolli shprehu mendimin se gjinia nuk është përcaktuese në suksesin e një biznesi, megjithatë ajo theksoi si të një rëndësie të veçantë mbështetjen ndaj grave të reja në këtë fushë veprimtarie, duke ftuar dhe nxitur profesionistet nga e gjithë bota, të pranishme në këtë aktivitet, për t’a bërë këtë pa kursim, në të mirë të grave dhe frymës pozitive të konkurrencës.
Në Forumin Ndërkombëtar të Sipërmarrjes së Grave, gjatë 23 sesioneve tematike, bisedave dhe fjalimeve kryesore, workshop-eve dhe mentorimeve morën pjesë 52 folës nga e gjithë bota.
Falënderojmë Kryetaren e Rrjetit Kombëtar të Grave Sipërmarrëse të Dhomave të Tregtisë së Greqisë, njëkohësisht Kryetare e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës, znj. Sofia Kounenaki Efraimoglou, për ftesën dhe lidershipin, si dhe vemendjen e veçantë që i kushton promovimit të gruas.