Athinë – Zëvendës Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Malo mori pjesë si paneliste në tryezën “Ballkani Perëndimor dhe Zgjerimi i BE-së, në vitin 2030: Ëndërr apo Realitet?”, bashkëorganizim i Fondacionit Grek për Politikat e Jashtme dhe Evropiane – South-East Europe Programme/ ELIAMEP dhe Forumit Strategjik të Bledit (BSF) – Bled Strategic Forum, zhvilluar në Ministrinë e Jashtme Greke.
Aktiviteti kishte në fokus: politikat e zgjerimit të BE-së, domosdoshmërinë për reforma dhe strategji të reja, bashkëpunimin BE – Ballkani Perëndimor për adresimin e sfidave rajonale dhe zbatimin e hapave të nevojshëm drejt anëtarësimit në BE. Gjatë këtij aktiviteti, znj. Artemis Malo pati rastin të takohet dhe bisedojë me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, z. Georges Gerapetritis.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit të saj në Athinë, znj. Malo mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Zyra e Interesave të Kosovës – Kosovo in Greece në bashkëpunim me Universitetin New York College, me temë “Përparimi i Kosovës në udhëkryqin e Integrimit Evropian, Zhvillimit dhe Dialogut”, me të ftuar nderi Zëvendës Kryeministrin e Parë të Kosovës, z. Besnik Bislimi.
Në përfundim të vizitës, Zv. Ministrja Malo zhvilloi një takim me studentë shqiptarë që kryejnë praktikën pranë MPJ-së Greke.