Autoritetet Rregullatore, Operatorët e Sistemit të Transmetimit dhe Shkëmbimit të Energjisë Elektrike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë nënshkruan në Athinë memorandume mirëkuptimi për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike, si pjesë e një procesi që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit.
Ky takim u organizua nga Asosacioni Kombëtar i SHBA-ve të Komisionerëve të Shërbimit Rregullator (NARUC), Asosacioni i Energjisë të SHBA (USEA) dhe RTI International me mbështetjen e Autoritetit Rregullator Helen për Energjinë, Mbetjet dhe Ujin, sponsorizuar nga Agjencia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Drejtori i Përgjithshëm i Bursës Shqiptare të Energjisë Sh.A (ALPEX), z. Sokol Dishnica, u shpreh se këto dy ditë takimi si dhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit përfaqësojnë shumë më tepër sesa një marrëveshje, dhe theksoi se kjo është një deklaratë për fuqinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal që po ndërtojmë, për të pasur mekanizma shtesë mbrojtës në një kohë kur siguria energjetike është e një rëndësie jetike.