Me ftesë të akademikes znj. Daniela Vintila nga Universiteti i Liège, Belgjikë, Oficerja Koordinuese për Diasporën, znj. Joneda Dodaj mori pjesë si folëse kryesore në leksionin që u zhvillua në kuadër të Programit Pasuniversitar mbi Migracionin dhe Studimet Etnike për të folur mbi politikat e integrimit të migrantëve, rolin e përfaqësive diplomatike në shtetet pritëse në mbështetje dhe mbrojtje të të drejtave të diasporës, si dhe funksionimin e tyre si urë lidhëse me shtetin amë.
Znj. Dodaj duke theksuar se shteti shqiptar e konsideron diasporën vlerë të shtuar të shoqërisë shqiptare, prezantoi Strategjinë Kombëtare për Diasporën 2021-2025 dhe foli për zhvillimin e politikave të ndryshme shtetërore për përfshirjen dhe kontributin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit në zhvillimin socio-ekonomik dhe politik të vendit të origjinës. Në vijim ajo bëri një prezantim mbi diasporën shqiptare në botë duke u fokusuar në diasporën shqiptare në shtetin helen, dhe në punën e Ambasadës së RSH-së në Greqi duke ndjekur praktikat më të mira.
Aktiviteti u përmbyll me një bashkëbisedim, gjatë së cilit znj. Dodaj iu përgjigj pyetjeve nga akademikët dhe studentët pjesëmarrës.