Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino mori pjesë në Forumin e Prespës për Dialog, veprimtari e organizuar nga MPJ e Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua në Strugë, më 15- 16 qershor 2023.
Në panelin “Adresimi i Sfidave të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, zv. ministrja Fino theksoi se Shqipëria mirëpret angazhimin e aleatëve në inkurajimin e dialogut, pajtimit dhe zgjidhjen e çështjeve dypalëshe që vazhdojnë të paraqesin pengesa për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Sipas saj, e ardhmja euro-atlantike për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e vetmja perspektivë që do të garantonte një rajon të qetë, stabël dhe më të sigurt.
Në Forumin e Prespës për Dialog u diskutua rreth ndikimit të aktorëve të tretë në rajon, sfidat e çështjeve koherente të politikave të sigurisë, procesi i integrimit në BE, efektet indirekte nga lufta në Ukrainë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, si dhe çështje të energjisë dhe mjedisit. Në forum morën pjesë zyrtarë të lartë evropianë, presidentë nga shtetet e rajonit, ministra të jashtëm dhe ekspertë të fushës.