Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cli ndodhet në Nju Jork, ka marrë pjesë në takimin anësor të Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG), me temë “Përshpejtuesi global për Punë dhe Mbrojtje Sociale për Tranzicione të Drejta”.
Ministri Hasani shprehu angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare për krijimin e një mjedisi të favorshëm që nxit punë cilësore dhe siguron mbrojtje të përshtatshme sociale për qytetarët e saj.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se menaxhimi i tranzicionit drejt ekonomive të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe që krijojnë vende pune kërkon një konsensus të fortë social, të koordinuar nga institucionet përmes proceseve gjithëpërfshirëse nën një udhëheqje të qartë. Kjo është çka qeveria ka vendosur në rrugën e duhur. Shqipëria do të angazhohet në mënyrë aktive me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke kontribuar në përpjekjet kolektive për të promovuar punë cilësore dhe mbrojtje sociale”, tha ai.
Përshpejtuesi Global për Punë dhe Mbrojtje Sociale për Tranzicione të Drejta, i lançuar në shtator 2021 nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, sinjalizon përgjigjen kolektive të sistemit të OKB-së për adresimin e sfidave të shumta që kërcënojnë të fshijnë progresin e zhvillimit.