Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo, mori pjesë në Konferencën e Rishikimit të Sigurisë në OSBE, të organizuar nga Kryesia e Maqedonisë së Veriut të OSBE-së, që u zhvillua në datat 28-29 qershor 2023, në Vjenë.
Në fjalën e saj, zv. Ministrja Malo evidentoi rolin dhe angazhimin të vendit tonë për paqen dhe sigurinë në rajonin e OSBE, dhe në kuadër të angazhimit si vend jo i përhershëm në KS të OKB-së theksoi kontributin aktiv të vendit për çështjet globale të sigurisë.
Zv. Ministrja Malo theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe fuqinë e tij, duke shprehur besimin se kjo organizatë i disponon të gjithë mekanizmat e duhur për të rikthyer besimin dhe sigurinë në rajonin e OSBE-së.
Si veprimtaria kryesore vjetore e OSBE-së për forcimin e dialogut në lidhje me sfidat rajonale të sigurisë, kjo konferencë shërben si një platformë për të shkëmbyer pikëpamjet midis vendeve pjesëmarrëse të organizatës mbi dimensionin politiko-ushtarak të saj, ku agresioni rus kundër Ukrainës dhe pasojat e tij, ishin nga çështjet qendrore që u trajtuan.