Në datën 10 janar 2025, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro zhvilloi një takim kortezie me Kryetarin e Bashkisë së Janinës Thomas Begas, ku ishin të pranishëm Konsullja e Përgjithshme e RSH-së në Janinë Irida Laçi, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, Kryetari i Bashkisë së Dropullit Dhimitraq Toli, si dhe zv.Kryetari i Bashkisë së Janinës Stefanos Zervas, i cili është përgjegjës për diplomacinë e qyteteve dhe zhvillimin e turizmit dhe të biznesit.
Temë kryesore e bisedimit ishte forcimi i lidhjeve dhe bashkëpunimit në turizëm, kulturë dhe iniciativa evropiane mes Shqipërisë së Jugut (7 bashkive të Qarkut Gjirokastër) dhe Bashkisë së Janinës.
Kryetari i Bashkisë së Janinës u shpreh se “bashkëpunimi me Shqipërinë e Jugut është një prioritet kryesor për Bashkinë Janinë. Është përgjegjësia jonë të nxisim miqësinë dhe bashkëpunimin, në kuadër të “diplomacisë së qyteteve”, si dhe aspiratave tona të përbashkëta”. U theksua rëndësia e aksit Adriatiko Jonian, si dhe përfundimi i rrugës Janinë-Kakavijë, projekte që premtojnë rrugë të reja zhvillimi dhe bashkëpunimi mes dy rajoneve.
Ministrja Kumbaro bëri një pasqyrë të detajuar të shifrave të turizmit për vitin 2024 që arritën një numër rekord prej 11 milion turistësh në një vend me më pak se 2.5 milion banorë. Ajo përmendi dhe faktin se Shqipëria këtë vit është host country i panairit më të madh në botë për turizmin ITB Berlin.
Në përfundim u ra dakort që pas panairit të Berlinit ekipet respektive nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Gjirokastër dhe Bashkia Janinë do të takohen me qëllim hartimin e një strategjie të përbashkët për promovimin e paketave të përbashkëta turistike, kulturore, arsimore, e mjedisore, të cilat do të promovohen nga mesi/fundi i muajit mars 2025 në Gjirokastër.