Flamuri ynë, simbol i bashkimit, krenarisë dhe nderimit, mishëron historinë, idealet dhe vlerat që na bëjnë bashkë si popull dhe komb.
Në nderim të 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll, organizoi në hotelin historik “Pera Palace”, një pritje zyrtare ku morën pjesë trupi diplomatik i akredituar në Stamboll dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, autoritetet lokale, miq të Shqipërisë dhe komuniteti shqiptar në Stamboll.
Në fjalën e tij, Konsulli i Përgjithshëm Armand Shandro shprehu falenderimet e rastit dhe mirënjohjen për të gjithë të pranishmit, për kremtimin sëbashku të ditëve më të rëndësishme historike të Shqipërisë, simbol të identitetit tonë kombëtar dhe sovranitetit të Shqipërisë. Z. Shandro theksoi rëndësinë e kahershme të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Turqisë si dy vende mike që ndajnë vlera të përbashkëta në kohë por tashmë në një nivel më të lartë në kuadër të partneritetit strategjik.
Në pritje nderoi me fjalën e saj Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme në Stamboll, Ambasadorja Ayşe Sözen Usluer, e cila vlerësoi me nota maksimale miqësinë e vyer mes Shqipërisë dhe Turqisë. Zj. Usluer u shpreh se të dy vendet i bashkon një e ardhme e ndritur në rrugëtimet si aleatë në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
Në festimet për Ditën e Pavarësisë dhe përvjetorin e Çlirimit, performuan dy artistë virtuozë nga Shqipëria, pianistja Almira Emiri dhe tenori Xhoni Jesku. Tingujt e këngëve shqipe “Rrjedh në këngë e ligjërime” dhe “Lule Bore” i shtuan emocionet e bukura kësaj mbrëmje, ku nuk munguan as elemente tradicionale si vera shqiptare, vaji i ullirit, mjalti dhe çajrat e viseve tona të cilat iu shpërndanë pjesëmarrësve në kuadër të promovimit të produkteve shqiptare.