Nën mikpritjen e Guvernatorit të Stambollit, z. Davut Gül, u organizua një darkë e veçantë lamtumire për nder të Ambasadores Ayşe Sözen Usluer, e cila me Dekret Presidencial është emëruar Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Turqisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë. Në këtë ngjarje të rëndësishme mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Stamboll Armand Shandro.
Gjatë mbrëmjes, u shprehën falënderimet më të përzemërta për Guvernatorin Davut Gül për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin dinjitoz. Gjithashtu, u vlerësua lart përkushtimi, lidershipi dhe bashkëpunimi i shkëlqyer diplomatik i Ambasadores Usluer përgjatë detyrës së saj si Përfaqësuese e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë në Stamboll.
Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë dhe të pranishmit e tjerë i shprehën Ambasadores Ayşe Sözen Usluer mirënjohjen e thellë për kontributin e saj të çmuar dhe i uruan suksese të mëtejshme në misionin e saj të ri dhe prestigjioz në arenën ndërkombëtare në Gjenevë.



