Në prag të Forumit të Biznesit Japoni-Shqipëri që zhvillon punimet në Tokio, së bashku me përfaqësues të institucioneve shqiptare, pjesëmarrës në forum, zhvilluam disa takime duke intensifikuar kështu kontaktet me partnerët japonezë.
Si në takimet me Presidentin e Organizatës Japoneze për Tregtinë me Jashtë (JETRO), ashtu edhe në ato me zyrtarë të lartë drejtues pranë Agjensisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, si edhe Ministrisë së Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit, u theksua angazhimi i ndërsjellë për vijimin e nivelit aktual të shkëmbimeve me synim përftimin e ekspertizës japoneze përfshirë në projekte infrastrukturore, fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, nxitjen e investimeve japoneze në vendin tonë, krijimin e mundësive për kontakte mes bizneseve të interesuara në të dy vendet, si edhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Në pritjen e rrjetëzimit të bizneseve ku mori pjesë edhe delegacioni shqiptar, krahas mirëseardhjes për të pranishmit, Ambasadori Ermal Muça vlerësoi bashkëpunimin me Institutin Japonez për Investime Jashtë, si edhe ftoi të pranishmit të shijojnë produktet shqiptare të ofruara nga Ambasada jonë në Tokio.



