Forumi i Biznesit Japoni-Shqipëri që zhvilloi punimet në selinë qëndrore të Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), Tokio, mblodhi së bashku sipërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve nga të dy vendet, si edhe të institucioneve zyrtare, përfshirë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Organizata Japoneze për Tregtinë e Jashtme (JETRO), Agjensia Japoneze Për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, etj.
I organizuar nga Agjensia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Institutin Japonez për Investime Jashtë dhe Ambasadën e Shqipërisë në Tokio, përmes fjalimeve dhe prezantimeve, krahas theksimit të vullnetit të ndërsjellë për rritjen e pranisë japoneze në sektorë prioritarë të ekonomisë shqiptare dhe fuqizimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, forumi ofroi informacione të detajuara mbi potencialet ekonomike, sektorët prioritarë dhe mundësitë e të bërit biznes në vendin tonë.
Krenari e veçantë për nivelin e profesionalizmit dhe prezantimit të kompanive shqiptare të pranishme në forum, i cili u përmbyll me sesionin B2B ndërmjet përfaqësuesve të kompanive shqiptare dhe atyre japoneze.
I organizuar vetëm 3 muaj pas Forumit të Biznesit Shqipëri-Japoni në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar, ky aktivitet domethënës dëshmon për interesin në rritje të të dy palëve dhe përkushtimin për të fuqizuar me vendosmëri lidhjet ekonomiko-tregtare, duke afruar më shumë dy vendet tona.



