FEC News, botim i “The International Friendship Exchange Council” (FEC), në numrin e muajit shkurt ka botuar intervistën e dhënë për z. Toshiya Ogata, Drejtor i Lartë Ekzekutiv i FEC, gjatë vizitës së tij në ambasadë.
Intervista sjell reflektime mbi Japoninë si model i qëndrueshmërisë, zhvillimit, inovacionit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, si edhe një vështrim të shkurtër mbi historikun e marrëdhënieve miqësore Shqipëri-Japoni, zanafilla e të cilave daton mbi një shekull më parë.
Ajo trajton nismat për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë organizimin e Forumeve të Biznesit Shqipëri–Japoni dhe mundësitë për projekte konkrete investimi japonez në Shqipëri. Theksohet, gjithashtu, rëndësia e shkëmbimeve kulturore dhe njerëzore, interesi në rritje i publikut japonez për Shqipërinë dhe atraksionet e saj turistike, përparimi në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe potenciali për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
I themeluar në vitin 1983 me seli në Tokio, FEC është një këshill prestigjioz që promovon miqësinë, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes Japonisë dhe vendeve të tjera përmes diplomacisë publike dhe shkëmbimeve ndërkombëtare.



