Ambasadori Ermal Muça, gjatë vizitës zyrtare në Manila, zhvilloi takime me Sekretaren e Punëve të Jashtme të Republikës së Filipineve, znj. Theresa Lazaro, ku u theksua rëndësia e përcaktimit të hapave të mëtejshëm për fuqizimin e marrëdhënieve Shqipëri-Filipine, përfshirë intensifikimin e dialogut politik të nivelit të lartë dhe pasurimin e bazës ligjore të bashkëpunimit dypalësh.
Me Nënsekretaren e Departamentit të Punëtorëve Migrantë dhe ekipin e saj, u diskutua rëndësia e finalizimit të një prej marrëveshjeve më të rëndësishme dypalëshe ndërmjet dy vendeve.
Interesi në rritje i studentëve filipinas ndaj Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e arsimit, ishin në fokus të takimit me Kryetaren e Këshillit të Arsimit të Lartë.
Një përmbledhje e plotë e çështjeve të trajtuara u realizua gjatë takimit me Ndihmës Sekretaren e Punëve të Jashtme, znj. Amatong, ndërsa po aq i frytshëm ishte edhe takimi me Shefin e Protokollit të Filipineve.
Diplomacisë ekonomike iu kushtua një vëmendje e veçantë, përmes takimeve me përfaqësues të spikatur të botës së biznesit.
Ambasadori Muça riafirmoi përkushtimin për zgjerimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në përmbyllje, Ambasadori Ermal Muça shprehu mirënjohje të sinqertë për mikpritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin e frytshëm gjatë qëndrimit në Manila.



