Gjatë vizitës zyrtare në Japoni, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama iu adresua të pranishmëve në seminarin e hapur “Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian: Roli i Japonisë”, organizuar nga Universiteti i Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Tokio.
Kryeministri bashkëbisedoi me Rektorin Marwala dhe Ambasadorin e BE në Japoni, Jean Eric Paquet, mbi stadin aktual të rrugëtimit drejt antarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe iu përgjigj interesit të të pranishmëve në këtë drejtim.
Kryeministri Rama zhvilloi takime me lidershipin e Organizatës Japoneze për Tregtinë e Jashtme (JETRO), Federatës Japoneze të Bizneseve (KEIDANREN), si edhe përfaqësues të disa kompanive dhe botës së biznesit në Japoni.
Në fokus të diskutimeve, hapësirat e pashfrytëzuara për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Japoni, mundësitë dhe potencialet që ofron vendi ynë për investime, si edhe interesi në rritje ndër përfaqësues të biznesit dhe kompani japoneze për zgjerimin e kontakteve dhe të aktivitetit në sektorë prioritarë të ekonomisë sonë, reflektuar në zhvillimin e forumeve të biznesit në Tiranë në nëntor 2025 dhe Tokio në shkurt 2026, pasuar nga iniciativa të ngjashme gjatë vitit në vijim.



