Gjatë vizitës në Kuala Lumpur, Ambasadori Ermal Muça zhvilloi takime të frytshme me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malajzisë, të cilat reflektojnë frymën miqësore të marrëdhënieve afatgjata ndërmjet Shqipërisë dhe Malajzisë.
Gjatë bisedimeve përmbajtësore me Ambasadorin Dato’ Syed Mohamad Hasrin Tengku Hussin, Zv/Sekretar i Përgjithshëm i MPJ për Marrëdhëniet Dypalëshe, si edhe Ambasadorin Ikram Bin Mohd Ibrahim, Drejtor i Protokollit të Malajzisë, u vlerësuan vizita dhe takimet si shprehje të vullnetit për intensifikim të dialogut ndërmjet Shqipërisë dhe Malajzisë.
Ndërsa ky vit shënon 45 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike, u theksua angazhimi i përbashkët për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh me interes të ndërsjelltë.
Gjatë qëndrimit në Kuala Lumpur, u vizitua, gjithashtu, Ambasada e Kosovës ku u zhvillua një bisedë e hapur dhe vëllazërore me kolegët tanë.



