Për nder të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ambasada e RSH në Japoni organizoi një pritje në ambientet e “Europa House”, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tokio.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre autoritete vendase, përfaqësues të Qeverisë, Parlamentit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, Krerë të Misioneve Diplomatike, përfaqësues të biznesit, medias dhe shoqërisë civile, miq të Shqipërisë. Kënaqësi e veçantë ishte pjesëmarrja e gjerë e komunitetit shqiptar që jeton në Japoni.
Të pranishmit i përshëndetën Ambasadori Ermal Muça dhe z. Minoru Kiuchi, Ministër i Sigurisë Ekonomike të Japonisë, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ligës Parlamentare të Miqësisë Japoni-Shqipëri. Ata vlerësuan nivelin e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë, ecurinë e procesit të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si edhe theksuan vullnetin e ndërsjellë për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Krahas performimit të Himneve Kombëtare nga artistet japoneze, “Dua më shumë Shqipërinë”, e sjellë mjeshtërisht nga baritoni i mirënjohur Gëzim Myshketa, krijoi atmosferë të paharrueshme.
Gëzuar Festat e Nëntorit!