Viti nisi me seminarin informativ mbi Shqipërinë për miq japonezë, anëtarë të Akademisë Reiwa dhe përfaqësues biznesesh në fushën e hotelerisë, turizmit, import-eksportit, gastronomisë, shërbimeve, etj. Krahas vlerave të përbashkëta që ndajnë dy popujt tanë, u fokusuam te potencialet turistike dhe ekonomike të vendit tonë, si edhe fuqizimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve në përputhje me interesin gjithnjë në rritje nga të dyja palët. U prezantuan gjithashtu nismat e deritanishme dhe ato në vijim, me synim nxitjen e investimeve, të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Të pranishmit shijuan disa receta tradicionale shqiptare të përgatitura me këtë rast dhe, shumë prej tyre, për herë të parë.



