Konsullja e Përgjithshme Znj. Anila Pojani mori pjesë në eventin” DYQINDVJETORI I VDEKJES SË LORD BYRON “ mbajtur në përkujtim të poetit, intelektualit dhe fisnikut anglez Lord Bajronit.
Ky event u organizua falë shoqatës “Amici di villa di Breme”, në bashkëpunim me Bashkinë Cinisello Balsamo dhe kompaninë S. Paolo pranë ambjenteve sugjestive të Villa Casati Stampa në Cinisello Balsamo. Ishte gjithashtu i pranishëm në këtë takim Kryebashkiaku i Bashkisë së Cinisello Balsamo Z. Giacomo Ghilardi, Konsulli i nderit i Greqisë dhe si dhe përfaqësuesve të Armenisë.
Lord Bajroni, është pa dyshim një figurë që la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në letërsinë botërore, por edhe në historinë dhe kulturën e Shqipërisë.
Gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan, Bajroni vizitoi Shqipërinë në vitin 1809 dhe u impresionua thellë nga bukuria e egër e vendit tonë dhe guximi i popullit tonë.
Në shkrimet e tij, Bajroni përshkroi me admirim malet tona madhështore, traditat tona unike dhe krenarinë e shpirtit tonë.
I famshëm është portreti i tij i Ali Pashës, guvernatorit të Janinës, të cilin Bajroni e pikturon si një lider karizmatik dhe kompleks, simbol i luftës për liri që do ta karakterizonte pjesën tjetër të jetës së tij.
Bajroni është bërë për ne një simbol i miqësisë dhe respektit të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe botës perëndimore.
Në ditët e sotme, kur kujtojmë dyqindvjetorin e vdekjes së tij, kremtojmë edhe trashëgiminë që Lord Bajroni la në Shqipëri. Emri i tij është sinonim i pasionit për lirinë, dashurisë për të bukurën dhe respektit për kulturat e ndryshme. Ai na mësoi se madhështia e vërtetë nuk qëndron vetëm në bëmat ushtarake apo politike, por edhe në aftësinë për të frymëzuar dhe prekur zemrat e njerëzve përmes artit dhe letërsisë.
Prandaj, detyra jonë sot është të mbajmë të gjallë kujtimin e Lord Bajronit dhe të vazhdojmë të ndërtojmë ura miqësie dhe mirëkuptimi midis popujve tanë, siç bëri ai me fjalët dhe veprimet e tij.