Përmbyllet me sukses konferenca me temë “George Gordon Byron – poeti i dashurisë dhe i lirisë” organizuar nga Kryetari i Bashkisë së qytetit Cinisello Balsamo, Z. Giovanni Ghilardi në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Ludovico di Breme”, me Qëndrën kulturore San Paolo si dhe me Shoqatën “ltalian Byron Society”.
Ky cikël eventesh u mbajt me rastin e dyqindvjetorit të vdekjes së poetit dhe intelektualit anglez Lord George Byron dhe kishte si qëllim që të përkujtohej figura e poetit të madh, përfaqësues i romantiçizmit anglez, i cili me penën e tij i ka thurur himne të mrekullueshme jo vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe popullit armen dhe gjuhës së tyre të lashtë si dhe ka dhënë kontributin e tij madhor për lirinë e popullit grek gjatë revoltës të vitit 1824 për pavarsi ku edhe ndërroi jetë.
Konferenca për Lord Bajron e mbajtur të djelën në ambjentet historike të Villa di Breme Forno në qytetin e Cinisello Balsamo pati një sukses tepër të lartë pasi ofroi njohuri të thella mbi jetën dhe veprën e poetit romantik, duke tërhequr një audiencë të pasionuar. Morën pjesë në këtë konferencë autoritete si Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Znj. Anila Pojani, Konsulli i nderit i Greqisë në Milano, Z. Nicholas Sakkaris, Konsulli i nderit i Armenisë Z. Pietro Kuciukiansi dhe Presidentja e Qëndrës së Kulturës greke në Milano Znj. Sofia Zafiropoulou.