a) Origjina dhe shtrirja gjeografike. Ilirët ishin një popullsi e madhe e lashtë e pjesës perëndimore të Ballkanit, që shtriheshin nga gadishulli i Istrias, në bregun e djathtë të lumit Sava, në luginat e sipërme të Margut (Morava Jugore) dhe Aksiosit (Vardari), në malet Boion (Pindi) e në gjirin e Ambrakisë (gjiri i Artës), deri në bregun e Adriatikut dhe të Jonit. Ilirët u formuan në një proces të gjatë mbi bazën e popullsisë autoktone të epokës së Eneolitit, pas ardhjes së popullsisë indoevropiane në fund të mijëvjeçarit III para erës së re. Tiparet etnike të popullsisë së re, që lindi si rrjedhim i simbiozës dhe shkrirjes së tyre, ngjizen gjatë periudhës së mesme të bronzit (shih: Koha e Bronzit), si rrjedhim i zhvillimit ekonomik-shoqëror. Fiset e veçanta ilire, Pajonët dhe Tesprotët – përmenden në poemat “Iliada” dhe “Odisea”. Emri i përbashkët Ilirë del vetëm në shekullin V para erës së re tek Herodoti si përgjithësim i emrit të një fisi që banonte në shpinë të Dyrrahut deri në Kosovë, ku u krijua bërthama e parë e shtetit ilir. Fiset kryesore ilire ishin Histrët, Liburnët, Japodët, Desidiatët, Dalmatët, Autariatët, Labeatët, Dardanët, Pajonët, Ardiejtë, Parthinët, Dasaretët, Enkelejtë, Taulantët, Atintanët – dhe ata që cilësoheshin si Epirotë: Kaonët, Tesprotët, Molosët – etj.
b) Rendi ekonomiko-shoqëror. Në fillimet e tij procesi i formimit të etnosit ilir u shoqërua me krijimin e bashkësive fisnore patriarkale. Në periudhën e mesme të bronzit filloi diferencimi ekonomik e shoqëror tek Ilirët, ndërsa në bronzin e vonë ky diferencim mori përpjesëtime më të gjera. Dendësimi i këtyre dukurive gjatë kohës së hekurit krijoi premisat për formimin e shoqërisë antike, në fillim në krahinat jugore e perëndimore ilire dhe më vonë në ato veriore dhe lindore. Në burimet e shkruara prania e shtresave shoqërore përmendet që nga shekulli IV me prospelatët e Ardianëve dhe dulët e Dardanëve. Gjatë shekujve III–II nevojat për skllevër përballoheshin nga luftërat, pirateria, skllavërimi për borxhet. Nga mbishkrimet e Butrintit, Bylisit dhe Klosit (Mallakastër) dëshmohet një legjislacion i rregullt mbi trajtimin e skllevërve në qytetet ilire. Gjatë shekujve IV–II para erës sonë prodhimet e qyteteve ilire konkurruan mallrat helene në tregjet rreth tyre. Që nga shekulli II i erës së re pushtuesit romakë e orientuan ekonominë e viseve ilire nga bujqësia, blegtoria dhe shfrytëzimi i minierave. Tregtia u orientua nga eksporti drejt Romës. Rruga kryesore u bë Egnatia. Shtresa e pronarëve, përveç vendësve, përbëhej nga kolonë romakë dhe të ardhur nga krahina të ndryshme të perandorisë. Kriza e Perandorisë Romake dhe dyndjet e Barbarëve u pasqyruan në ekonominë e viseve ilire me vendosjen e sistemit të kolonatit në shekullin IV të erës së re. Shekujt IV–VI të erës së re. shënojnë rënien e qyteteve dhe zotërimin e ekonomisë bujqësore.
c) Historia. Gjatë shek. VI–V para erës së re lindi edhe shteti ilir, i cili në shekujt IV–II para erës së re u bë një faktor i rëndësishëm politik në Ballkan. Nga forma politike shteti ilir ishte një monarki e trashëguar, ku sundonin përfaqësuesit e aristokracisë. Ndarjet administrative të tij kishin në qendër qytetet kryesore, ku qëndronte dinasti i caktuar nga mbreti. Brenda kuadrit monarkik të shtetit ilir qytetet dhe krahinat rreth tyre kishin një vetëqeverisje në formën e bashkësive me një këshill ekzekutiv nëpunësish të zgjedhur çdo vit dhe një këshill legjislativ në krye. Në shekujt V–IV para erës së re shteti ilir formohet plotësisht si institucion i mbështetur në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Ilirisë. Rënia ndesh synimeve të Romës për hegjemoninë në Adriatik u bë shkak për agresionin romak. Në dy luftërat e para me Romën (229–218 para erës së re) shteti ilir u thye dhe u kufizua në veri të Matit. Me mbretin Gent (186–168) shteti ilir filloi përsëri politikën kundër Romës dhe u fut në aleancë me Maqedoninë e Dardaninë. Me betejën e Shkodrës (168 para erës së re) ushtritë ilire u thyen dhe shteti ilir u shkatërrua. Më vonë ilirët bënë një radhë kryengritjesh kundër pushtimit romak, më e madhja e të cilave ishte kryengritja ilire e viteve 6–9 të erës sonë.
d) Kultura. Dallimi i tipareve kulturore të ilirëve bëhet gjithnjë e më i qartë gjatë periudhës së mesme dhe sidomos në fund të kohës së bronzit. Në këtë periudhë u krijuan edhe vendbanimet e fortifikuara, të cilat karakterizohen nga ndarja e hapësirës së brendshme me disa radhë muresh koncentrike. Metalurgjia vendase prodhonte tipa të ndryshëm armësh mbi bazën e prototipave egjeanë me një përpunim të formave. Veglat kryesore ishin sëpatat e tipave vendas “dalmato-shqiptare” dhe “shkodrane”, si dhe tipi jugor i sëpatës dytehëshe.
Në kohën e hekurit theksohen tiparet e përbashkëta kulturore të popullsisë ilire dhe marrin një shtrirje më të gjerë. Për rajonet jugore qeramika mbështetet në format dyvegjëshe dhe pikturimi bëhet veçori edhe për trevat ilire të Epirit dhe Maqedonisë Perëndimore. Për trevat veriore përdoreshin të njëjtat forma të qeramikës, por zbukurimi bëhej me incizim, gërvishtje ose reliev me motive gjeometrike. Vendbanimet e fortifikuara kthehen edhe në qendra ku prodhohet qeramika ose punohen metale për nevojat e bashkësisë fisnore dhe shkëmbim në natyrë. Që nga fundi i shekullit VII para erës së re me fillimin e prodhimit të mallrave, vihen re ndryshime në kulturën materiale të ilirëve. Krijohen qendrat e fortifikuara protourbane të rrethuara me mure gurësh të punuar, si vendbanime të shtresave të reja shoqërore. Prodhimi zejtar mbështetet në traditën e periudhës së hershme të hekurit, duke përpunuar format e veglave të punës, armëve, zbukurimeve dhe qeramikës. Pas mesit të shekullit V para erës së re nga vendbanimet protourbane krijohen qytetet e mirëfillta. Qytetet më të rëndësishme ishin qendra prodhimi e këmbimi dhe njëkohësisht ishin qendra të territoreve gjeografike të njohura me emrin koinon, ku vepronin qendra më të vogla zejtare e bujqësore.
Në shekujt III–II punishtet shtetërore dhe private zotëronin plotësisht tregun ilir dhe ngushtonin importin helen. Armatimi përbëhej nga përkrenarja me hapje katërkëndëshe për fytyrën, mburoja e rrumbullakët me rrathë e gjysmërrathë koncentrikë, shpata, hanxhari, heshtat etj. Me shtetin ilir, format dhe taktikat e luftimit u përpunuan në një art ushtarak ilir. Mjetet e shkrimit dhe mbishkrimet ndeshen edhe në qendrat e vogla. Si gjuhë kulture përdorej greqishtja dhe të gjitha mbishkrimet janë gjetur të shkruara në këtë gjuhë. Arti u zhvillua lidhur me nevojat praktike. Skulptura e rrumbullakët dhe relievi u përdorën kryesisht në arkitekturë dhe në varreza. Qendra kryesore ishin Amantia, Bylisi, Dimali, Belshi. Ilirët ia përshtatën perënditë e panteonit helen ideologjisë së tyre qytetare, duke ruajtur format e lashta të kultit vendas.
e) Gjuha ishte ilirishtja. Prej saj janë ruajtur pak glosa, si: sika “thika”, peli “pleq” (Epir), aspetos “i shpejtë” (Epir), sabaja “një lloj birre” etj. Janë transmetuar nga autorët antikë një numër i madh emrash të përveçëm (vendesh e njerëzish), disa prej të cilave gjejnë shpjegim me fjalë shqipe, si Dardania me “dardhë”, Dalmatia me “delme, dele”, Ulkin “ujk”, Bardhyl me “bardhë”, Bala me “balë”, Daz me “dash” etj. Në bazë të fjalëformimit, parashtesave e prapashtesave dhe ndryshimeve që kanë pësuar fjalët, ilirishtja është përcaktuar si një gjuhë indoeuropiane.
ILIRIA. Trevë në pjesën perëndimore të Ballkanit antik, e banuar nga Ilirët. Përmendet për herë të parë në gjysmën II të shekullit IV para erës së re nga Demosteni si fqinjë perëndimore e Maqedonisë. Me formimin e Mbretërisë Ilire emri ilir mori edhe kuptimin e ngushtë politik. Në shekullin IV–III para erës së re pjesa më e madhe e saj përfshihej në shtetin ilir nën emrin Mbretëria Ilire. Pas luftërave iliro-romake të viteve 229–228, 219 dhe 168 një pjesë e Ilirisë së jugut u pushtua nga Romakët dhe më 148 para erës së re u fut në përbërjen e provincës së Maqedonisë. Pjesa veriore me emrin Ilirik u krijua si provincë më vete nga Jul Cezari dhe u vendos nën kontrollin e Senatit që e qeveriste nëpërmjet konsujve. Gjatë sundimit të Augustit kaloi nën kontrollin e drejtpërdrejtë të perandorit dhe qeverisej nga një legat i tij. Pas kryengritjes ilire të viteve 6–9 të erës së re Iliriku u riorganizua dhe u nda në dy provinca: Dalmacia dhe Panonia.
ILIRISHTJA. Gjuhë indoevropiane që është folur në periudhën antike deri në shekujt e parë të erës së re në Iliri. Nga ilirishtja e ka burimin gjuha shqipe. Një dialekt i veçantë i ilirishtes, mesapishtja flitej edhe në Italinë e jugut në krahinën e Apulisë dhe në atë të Kalabrisë. Shtrirja e Ilirisë dhe e ilirishtes në periudhën antike është një problem ende i diskutueshëm. Nga ilirishtja e Ballkanit nuk kemi as tekste të shkruara, as mbishkrime. Atë e njohim pak nga disa emra vendesh, fisesh e njerëzish të trevave ilire, nga disa glosa të lëna nga autorë antikë, grekë e latinë dhe nga disa fjalë që mbahen si huazime ilire në greqishten e vjetër dhe në latinishten. Nga gjurmimet e studimet e bëra gjatë shekullin XIX dhe sidomos në shekullin XX është mbledhur, sistemuar e botuar një lëndë mjaft e gjerë nga ilirishtja dhe janë bërë përpjekje për të përcaktuar në vija të përgjithshme disa nga tiparet fonologjike, leksikore e fjalëformuese të gjuhës ilire, si edhe disa aspekte të marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera indoevropiane. Nga studiuesit janë vënë re disa përkime të ilirishtes me gjuhët gjermanike, baltike dhe me keltishten. Një pjesë e mirë e lëndës gjuhësore të ilirishtes gjen shpjegim me anë të shqipes. Sinteza të arritjeve në fushën e studimeve për Ilirët dhe Ilirinë janë bërë në simpoziumin “Ilirët dhe gjeneza e Shqiptarëve” (Tiranë, 1967), dhe në Kuvendet e Studimeve Ilire (1972, 1985).