Mbrëmje letrare në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih.
Jemi shumë të lumtur për hapjen e Shtëpisë Botuese “Loreta Schilloc”, e themeluar dhe drejtuar nga Loreta Schillock, pedagoge në Universitetin e Shtutgartit, përkthyese dhe shkrimtare. Kjo shtëpi botuese e re është një iniciativë e vyer që synon të sjellë zërat e autorëve shqiptarë pranë lexuesit gjerman.
Në këtë kuadër, patëm kënaqësinë që në mbrëmjen tonë letrare të mirëpresim shkrimtaren e njohur shqiptare, znj. Mimoza Ahmeti, një nga emrat më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me dashamirës të fjalës së shkruar, u zhvillua një bisedë mjaft interesante ndërmjet znj. Ahmeti dhe të ftuarve të shumtë të Konsullatës, të cilët mbushën sallat e saj.
Kjo mbrëmje shënoi një hap të rëndësishëm drejt promovimit të kulturës dhe letërsisë shqiptare në Gjermani, duke përforcuar edhe më tej lidhjet kulturore mes komunitetit shqiptar dhe atij gjerman.




