Me ftesë të Kryetares së Landtag-ut të Bavarisë, znj. Ilse Aigner, Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih Gentiana Mburimi, mori pjesë në pritjen tradicionale verore. Ky aktivitet mblodhi figura të shquara të elitës politike dhe ekonomike bavareze, përfshirë ministra, deputetë, drejtues biznesesh dhe anëtarë të Trupit Konsullor.
Aktiviteti ishte një mundësi e mirë për shkëmbim kontaktesh dhe për të forcuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Bavarisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Aigner theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si një festë e demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo vuri në dukje trashëgiminë e pasur kulturore të Bavarisë, keshtjellat, liqenet dhe parqet, jo vetëm si simbole të traditës, por edhe të hapjes ndaj botës. Sipas saj, janë pikërisht këto momente, kur njerëz nga fusha dhe vende të ndryshme bashkohen, dhe e bëjnë këtë vend vërtet të veçantë.




