Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih përfaqësuesit e Shoqatës Kulturore “Iliria e.V.”, një organizatë me një histori 25-vjeçare në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në diasporë.
Bashkëpunimi ynë me këtë shoqatë ka qenë gjithnjë i ngushtë dhe frytdhënës. Grupi i valleve të “Iliria e.V.” ka qenë pjesë e padiskutueshme e pritjeve zyrtare të Festës Kombëtare dhe do të vijojë të surprizojë me prurje të reja artistike në të ardhmen. Promovimi i aktiviteteve të shoqatave kulturore, veçanërisht në kuadër të festimeve të Ditës së Flamurit, është mënyra më e mirë për të vlerësuar punën e tyre të palodhur.
Lajmi fantastik që Shoqata “Iliria e.V.” do të jetë pjesë e paradës tradicionale në kuadër të Oktoberfest, me përfaqësues të veshur me kostume popullore nga të gjitha trevat shqiptare, është një arritje e jashtëzakonshme që na mbush me krenari. Konsullata e Përgjithshme do të jetë gjithmonë përkrah nismave të tilla, për të garantuar një përfaqësim dinjitoz të kulturës sonë në arenën ndërkombëtare.
Në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe kontributin e vyer, Konsullja e Përgjithshme znj. Gentiana Mburimi, i dorëzoi kryetares së Shoqatës “Iliria e.V.”, znj. Laura Lajqi, një dhuratë simbolike: një veshje popullore shqiptare të vendosur në kornizë, si kujtim dhe vlerësim për përkushtimin e palodhur në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Faleminderit Laura, Kadri, Gazmend dhe gjithë skuadrës suaj për punën dhe pasionin.
Bashkë mund të bëjmë punë të mrekullueshme!



