Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih kremtoi Festat Kombëtare!
Pritja festive me 350 të ftuar: autoritete të larta bavareze, trupa konsullore, personalitete të fushave të ndryshme dhe bashkatdhetarë, u zhvillua në sallën madhështore Max Joseph të Rezidencës së Mynihut.
Në fjalën e saj, Konsullja e Përgjithshme Gentiana Mburimi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Bavarisë dhe Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e gjerë në fusha të ndryshme. Ajo theksoi rëndësinë e katedrës së Albanologjisë në LMU dhe lektoratit të gjuhës shqipe në Universitetin e Regensburgut, të vetmet qendra akademike të gjuhës shqipes në Gjermani.
Konsullja falënderoi gjithashtu miqtë dhe aleatët e Shqipërisë për mbështetjen në rrugën drejt BE-së dhe vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në jetën ekonomike e politike të Bavarisë.
Një mirënjohje e veçantë iu kushtua Baca Rifat Jasharit, përfaqësues i familjes heroike Jashari.
I ftuari i nderit, Ministri bavarez për Çështjet Evropiane, Eric Beißwenger, konfirmoi se Bavaria është krenare për partneritetin e saj të ngushtë me Shqipërinë. Ai e vlerësoi Shqipërinë si një partnere të besueshme të NATO-s dhe si kandidate të fortë për BE, duke theksuar mbështetjen e fuqishme të Bavarisë për negociatat e anëtarësimit. “Sot jemi më afër se kurrë,” u shpreh ai.
Presidenti i Shoqatës së Biznesit Bavarez (VBW), Wolfram Hatz, foli për bashkëpunimin ekonomik dhe rolin strategjik të zyrës përfaqësuese të VBW në Tiranë, e cila shërben si urë midis ekonomive të dy vendeve.
Mbrëmja u pasurua me performanca artistike nga “Kuarteti i Perlave” i udhëhequr mjeshtërisht nga Abigeil Voshtina, së bashku me Herida Duro, Eriona Jaho dhe Klaudio Jaupi.
Soprano Eriona Gjyzeli interpretoi me elegancë disa prej perlave më të dashura të muzikës shqiptare!
Falënderime të veçanta për baritonin Artan Lika për interpretimin e himnit të Shqipërisë dhe për Ilir Seferin e Christian Hoferer për interpretimin e himnit bavarez.
Të pranishmit shijuan ushqimet e restorantit të mirënjohur Troja, nën drejtimin e Kosta Papadhimës.
Mbrëmja u moderua me profesionalizëm nga Nevila Saja, ndërsa organizimi u mbështet nga Anila Xhani, dy zëra të rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Bavari.
Falënderime për të gjithë bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e Konsullatës së Përgjithshme në Mynih!




