Në takimin e radhës të Këshillit organizativ me mësueset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe të Nürnbergut dhe rrethinave, të cilat veprojnë në kuadër të LAPSh-it në Bavari, mori pjesë Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Gentiana Mburimi.
Zonja Mburimi falënderoi shkollën e Nürnberg-ut për mikpritjen e përzemërt dhe u garantoi mbeshtetjen dhe përkrahjen për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në një punë te përbashkët me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih.
Znj. Mburimi përcolli tekstet mësimore për nxënësit e kësaj pjese të Bavarisë, dhuratë e qeverisë shqiptare.
Në takim koordinatori i mësimit plotësues për Nürnberg-un dhe rrethinave, z. Selim Hoti, falenderoi grupin organizativ të mësimit plotësues të gjuhës shqipe për Nürnbergun dhe mësueset për punën dhe angazhimin e tyre në ketë mision, sa të shenjtë aq human dhe kombëtar.
Nënkryetari i LAPSh-it z. Xhymshit Tafa foli rreth organizimit dhe fillimit të vitit të ri shkollor 2024/25 në Bavari.
- Armend Ismajli kryetari i Këshillit të Prindërve për Nürnberg ne fjalën e tij u përqëndrua rreth sfidave që përcjellin mësimin plotësues në gjuhës shqipe, si dhe u bëri thirrje prinderve të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe sepse gjuha ruhet, vetëm aty ku shkruhet.
Gjithashtu mësueset folën rreth fillimit të vitit të ri shkollor 2024/25 dhe shprehen dëshirën që numri i nxënësve të rritet nëpër klasa.
Në takim mori pjesë edhe Kryetari i shkollave shqipe për Republikën e Hessen-it, i cili foli rreth organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në ketë Republikë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash tek mësimdhënësit.