Sot në kampin memorial të Dachau-t, u zhvillua ceremonia përkujtimore në nder të 80-vjetorit të çlirimit të këtij kampi famëkeq, i cili mbetet një nga simbolet më të dhimbshme të terrorit dhe një kujtesë e përhershme e shkeljeve më të rënda të dinjitetit dhe të drejtave njerëzore.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë figura të larta shtetërore nga Gjermania, përfshirë Presidenten e Bundestagut, Presidenten e Parlamentit të Bavarisë, Ministren e Kulturës dhe njëherësh Zëvendëskryeministren e Bavarisë, si dhe Trupa Konsullore e akredituar ne Bavari. Me praninë dhe fjalët e tyre, ato nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përgjegjësinë e përbashkët për të mos lejuar që e kaluara të harrohet.
Momentet më prekëse të ceremonisë ishin rrëfimet autentike të të mbijetuarve të kampit, të cilët ndanë përvojat e tyre të dhimbshme, duke ofruar një dëshmi të gjallë të mizorive që kanë ndodhur dhe duke forcuar mesazhin se kujtesa është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe të drejtësisë.
Në nderim të viktimave të kampit të Dachau-t, Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë vendosi një kurorë me lule pranë memorialit.
Ceremonia ishte një dëshmi e fuqishme e bashkimit ndërkombëtar rreth kujtesës dhe një apel i qartë për brezat e ardhshëm: të mos harrojnë, të qëndrojnë vigjilentë dhe të angazhohen për një botë më të drejtë dhe njerëzore.








