Me ftesë të Fondacionit BESA, Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Gentiana Mburimi, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 15-vjetorit të krijimit të këtij fondacioni.
Nën rrjetin e tij të fuqishëm, Fondacioni BESA bashkon mbi 200 kompani shqiptare që punësojnë më shumë se 3,500 punonjës në mbarë Bavarinë, me një qarkullim vjetor mbresëlënës prej rreth gjysmë miliard eurosh.
Konsullja e Përgjithshme, znj. Mburimi, në fjalën e saj vlerësoi përkushtimin e vazhdueshëm që Fondacioni tregon çdo ditë, nga projektet humanitare te iniciativat ekonomike e sociale, veçanërisht në mbështetjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Ajo theksoi se Fondacioni BESA ndërton ura bashkëpunimi, forcon komunitetin dhe kontribuon në mënyrë aktive në zhvillimin shoqëror.
Gjithashtu, ajo evidentoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis komunitetit shqiptar dhe atij bavarez, si edhe partneritetin gjithnjë në rritje mes Shqipërisë dhe Bavarisë.
Falënderimet tona shkojnë për gjithë Bordin Drejtues të Fondacionit BESA, veçanërisht z. Meta, z. Seferi dhe z. Nikçi, për ftesën dhe mikpritjen e tyre.
Frymëzuese të shihej sa shumë potencial ka në bashkëpunimin midis Bavarisë, Kosovës dhe Shqipërisë, si edhe sa fort të lidhura janë komunitetet tona!




