Me ftesë të Kryetarit të Shoqatës Kulturore “Atdheu” në Augsburg, z. Reshat Halili, në festimin e organizuar me rastin e Ditës së Flamurit mori pjesë edhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Gentiana Mburimi.
Në përshëndetjen e saj për të pranishmit, znj. Mburimi theksoi vlerën e jashtëzakonshme historike të 28 Nëntorit për kombin shqiptar, ditë që simbolizon lirinë, identitetin dhe sakrificat e brezave. Ajo vuri në dukje me mirënjohje kontributin e vyer të komunitetit shqiptar në Augsburg për ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditave tona kombëtare, duke e cilësuar atë një urë lidhëse të rëndësishme mes diasporës dhe atdheut.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetarja e Shoqatës “Jetimet e Ballkanit”, znj. Drita Zumberi, e cila përshëndeti komunitetin dhe nënvizoi rëndësinë e solidaritetit dhe bashkësisë në ruajtjen e vlerave kombëtare.
Atmosfera festive u pasurua më tej nga një kollazh poezish e vallesh të interpretuara me profesionalizëm e pasion nga valltarët e shoqatës “Atdheu”, të cilët vijojnë të jenë një shembull frymëzues në promovimin dhe trashëgimin e kulturës shqiptare ndër breza.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë të gjithë bashkatdhetarëve, kudo që ndodhen!




