Shoqata Iliria në Friedrichshafen, në Landin e Baden Württemberg, organizoi një takim me anëtarët e shoqatës, përfaqësuesit e grupeve të mësimit të gjuhës shqipe, bibliotekës, vallëzimit, sportit, si dhe Forumin e Grave.
E pranishme në takim ishte Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih, znj. Gentiana Mburimi, e cila dorëzoi librat e mësimit të gjuhës shqipe, dhuratë nga qeveria shqiptare. Ajo përgëzoi gjithashtu për punën e palodhur që kjo shoqatë bën për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e kulturës e traditës shqiptare.
Në aktivitet mori pjesë edhe drejtuesi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart, z. Hamdi Bërbatovci, i cili ofroi mbështetjen për vijimin e punës së kësaj shoqate.
Fëmijët dhuruan një spektakël të vërtetë me këngët, recitimet, vallet dhe veshjet tona tradicionale.