Festa e Flamurit u shënua me krenari nga Shoqata Humanitare–Kulturore “ILIRIA” në Passau
Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bavari, znj. Gentiana Mburimi, iu bashkua festimeve të organizuara nga Shoqata Humanitare–Kulturore “ILIRIA”, e cila prej vitesh është një ndër shtyllat më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në këtë qytet.
Shoqata, e themeluar dhe udhëhequr më parë nga mjeku humanist Dr. Hamit Manxholli dhe tashmë nga Dr. Ylber Gashi, njihet për kontributin e saj të pandërprerë në çështje humanitare, por edhe në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare, nga mësimi plotësues i gjuhës shqipe, te kultivimi i traditave dhe zakoneve shqiptare ndër breza.
Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Mburimi falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e shumtë për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur në mbrojtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar.
Një vend të posaçëm në mbrëmje e zuri koncerti i fëmijëve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të cilët me recitime, këngë dhe valle sollën në skenë një atmosferë të ngrohtë e plot emocione, një copë shqipëtarie në zemër të Passaut.
Mbrëmja festive kishte edhe një mision humanitar: të gjitha të ardhurat u dedikuan fondit të Shoqatës dhe do të përdoren për aktivitete bamirësie si dhe për mbështetjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.




