Hagë, 2 dhjetor 2024 – Një delegacion i MEPJ i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ z.Armand Skapi, në përbërje të të cilit ishin dhe ekspertë të njohur të së drejtës ndërkombëtare, mori pjesë në seancën dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në kuadrin e procedurave këshillimore për përcaktimin e detyrimeve të shteteve ndaj ndryshimeve klimatike.
Delegacioni shqiptar theksoi nevojën për përballimin proporcional të efekteve negative të ndryshimeve klimatike nga vendet e zhvilluara dhe ato me të ardhura mesatare. Ai i kërkoi Gjykatës që të njohë përgjegjësinë e shteteve të zhvilluara që me aktivitetet e tyre shkaktojnë ndotje të theksuar të mjedisit dhe që të asistuar shtetet e tjera në përballimin e efekteve negative të ndryshimeve klimatike.
Gjithashtu, delegacioni shqiptar nënvizoi lidhjen e fuqishme që ekziston ndërmjet efekteve të ndryshimeve klimatike dhe të drejtave të njeriut, duke tërhequr vëmendjen për barrën me të cilën përballen veçanërisht gratë dhe vajzat dhe bërë thirrje për një qasje më gjithëpërfshirëse në përballimin e pasojave që vijnë nga ndryshimet klimatike.
Angazhimi i MEPJ në procedurat këshillimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është në vijimësi të rolit aktiv të diplomacisë shqiptare, gjatë anëtarësisë jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku mbështeti fuqimisht integrimin e çështjes së ndryshimeve klimatike në diskutimet për sigurinë globale, si dhe aktualisht gjatë anëtarësisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Ky angazhim reflekton përpjekjet e Shqipërisë për të dhënë zgjidhje krizave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike përmes kuadrit ligjor ndërkombëtar.