Ministri i Mbrojtjes z.Pirro Vengu mori pjesë në Samitin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, që u mbajt në Bruksel, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Mark Rutte. Kryefjala e këtij samiti ishte rritja e domosdoshme e kontributeve dhe kapaciteteve të vendeve aleate, në dritën e negociatave për një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas Ministrit Vengu, “nën impulsin e ri amerikan, pritshmëritë janë të larta për një përpjekje më të madhe të vendeve evropiane në forcimin e kapaciteteve luftarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja për mbrojtjen e kontinentit”.
Gjatë këtij samiti, Ministri Vengu shprehu në emër të qeverisë shqiptare gatishmërinë e Shqipërisë që shtimin e burimeve financiare për mbrojtjen ta përkthejmë në: më shumë kapacitete operacionale, ringjallje të industrisë ushtarake, si dhe infrastrukturë në mbështetje të modernizimit të forcave tona dhe në funksion të Aleancës”.
“Në këtë kontekst, një industri ushtarake reaguese është kyçe për të prodhuar armatimin, municionet dhe pajisjet e nevojshme”, u shpreh ministri Vengu.
Ndër të tjera Ministri I Mbrojtjes së Shqipërisë theksoi në këtë samit, “nevojën për vigjilencë të shtuar të Aleancës në Evropën Juglindore, veçanërisht në raport me Kosovën, si dhe në zonën Adriatiko-Joniane, ku planet aleate meritojnë të përditësohen me veprime të reja strategjike përballë sfidave të shumta hibride me të cilat po përballemi”.
Ministri i Mbrojtjes z.Pirro Vengu pati një sërë takimesh me homologët e vendeve aleate dhe me Sekretarin e ri të Mbrojtjes së SHBA, z.Pete Hegseth, i cili mori pjesë për herë të parë në një samit të NATO-s.