Në datën 26 nëntor 2024, në Tiranë u realizua takimi i dytë i Drejtorëve Politikë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili u organizua në kuadër të kryesisë së Shqipërisë për periudhën 1 korrik 2024 – 30 qershor 2025.
SEECP është forumi politik më i rëndësishëm në Evropën Juglindore që përfshin vende me rëndësi strategjike për Shqipërinë. Kryesimi ynë i SEECP-së do të konfirmojë sërish rolin aktiv të Shqipërisë në këtë nismë por edhe përtej rajonit, duke synuar vazhdimin e bashkëpunimit për paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin ekonomik, politik dhe social të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit të dytë të Drejtorëve Politikë u prezantuan aktivitetet që kryesia e Shqipërisë ka parashikuar të zhvillojë gjatë vitit 2024 dhe 2025.
Po ashtu, përfaqësuesit e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal informuan pjesëmarrësit mbi konkluzionet e Samitit të Procesit të Berlinit dhe informuan mbi avancimin e implementimit të Strategjisë SEE 2030.
Në përfundim përfaqësuesit shprehën mirënjohjen e tyre dhe theksuan gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të kësaj platforme.