Më 4 mars 2025, në Tiranë u zhvillua takimi i tretë i Drejtorëve Politikë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të Presidencës së Shqipërisë për periudhën 2024 – 2025.
SEECP është forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore dhe përfshin pjesëmarrës me rëndësi strategjike për Shqipërinë. Gjatë takimit të tretë të Drejtorëve Politikë u prezantuan arritjet e Presidencës shqiptare të SEECP-së, aktivitetet e Presidencës për vitin 2025, si dhe u ndanë disa detaje lidhur me Ministerialin e Ministrave të Punëve të Jashtëm dhe Samitin e Krerëve të Shtetit të vendeve anëtare të SEECP-së që do të zhvillohet më 16 qershor 2025 në Tiranë.
Në takim u diskutua edhe mbi Integrimin Evropian të Ballkanit Perëndimor si dhe zbatimin e Strategjisë së Europës Juglindore për vitin 2030-të.
Në përfundim, të gjithë pjesëmarrësit e SEECP shprehën vlerësime për Presidencën shqiptare dhe theksuan gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin brenda platformës SEECP, me qëllim avancimin e mëtejshëm të proceseve të integrimit rajonal dhe Evropian.