Ambasadori Fatos Reka u prit sot në takim nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi, i cili do të drejtojë Qeverinë e vendit fqinj e mik deri në përfundimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Ambasadori i uroi z. Xhaferi suksese në detyrën e lartë të cilën pa dyshim do ta kurorezojë më së miri, për të patur ndër të tjera zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, në mënyrë që proceset eurointegruese të vijojnë duke përmbushur të gjitha detyrimet e anëtarësimit në BE. Me këtë rast Ambasadori Reka i dorëzoi Kryeministrit Talat Xhaferi mesazhin e urimit në detyrë që i dergon Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në të cilën ndër të tjera thuhet: “Duke Ju përcjellë këtë mesazh urimi, besoj fort se Ju, që keni përballuar shumë sfida në jetë, do të jeni plotësisht i suksesshëm në mandatin Tuaj qeverisës e të rëndësishëm për të përgatitur vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është një mision i madh, se për herë të parë këtë detyrë të lartë e perfaqëson një shqiptar. Ashtu siç është një rast i shkëlqyer për të dëshmuar lidership e gjithëpërfshirje në emër të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Padyshim, duke realizuar një proces të lirë e të ndershëm, Republika e Maqedonisë se Veriut do të përparojë më tej në rrugëtimin e saj eurointegrues, do të jetë më pranë shtëpisë sonë të perbashkët europiane.”
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe, përcaktimin e përbashkët për integrim të përforcuar ekonomik rajonal, të mbështetur me protokollet e nënshkruara për zbatimin e kushteve për qasje të lirë në tregun e punës të Ballkanit Perëndimor, për ndërlidhjen e ndërsjellë në skemat e identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, si edhe për ndërlidhjen infrastrukturore përmes korridoreve 8 dhe 10.