Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Pekin organizoi një pritje solemne me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë, 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut dhe 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë. Ky aktivitet i shënuar mblodhi së bashku përfaqësues të autoriteteve shtetërore kineze, krerë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, mësues, studentë dhe ish-studentë të dy universiteteve kinezë ku mësohet gjuha dhe kultura shqipe, bashkëkombas shqiptarë që studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Kinë, përfaqësues të medias, sipërmarrësve, artit e kulturës dhe dashamirës të vendit tonë.
Në këtë ngjarje festive, u nderuan të gjithë ata që kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kinës gjatë këtyre 75 viteve të marrëdhënieve diplomatike dhe në promovimin e kulturës, arsimit dhe shkëmbimeve mes dy vendeve. Atmosfera ishte mbushur me emocion dhe mirënjohje për të kaluarën dhe për mundësitë e mëdha që paraqiten për të ardhmen e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fjalimin e mbajtur nga i Ngarkuari me Punë, Z.Novruz Ceta theksoi rëndësinë historike të këtyre përvjetorëve dhe theksoi arritjet e konsiderueshme të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e arsimit, kulturës dhe ekonomisë. Ai u përqendrua në rolin kyç të komunitetit shqiptar në Kinë, duke nënvizuar kontributin e tyre në promovimin e kulturës shqiptare dhe në forcuar marrëdhëniet diplomatike mes dy kombëve.
Pas fjalimit të mbajtur, eventi vijoi me një seri videosh promovuese të turizmit dhe të shqiptarëve të suksesshëm që nderojnë Shqipërinë kudo në botë. Videot pasqyronin bukuritë natyrore të Shqipërisë, atraksionet turistike kryesore dhe kulturën e pasur të vendit tonë. Gjithashtu, u prezantuan histori frymëzuese të shqiptarëve që kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme si biznesi, shkenca, arti dhe sporti, duke reflektuar krenarinë dhe përkushtimin e tyre ndaj vendit tonë.
Pjesëmarrësit në këtë pritje patën mundësinë të shijojnë një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse, ku miqësia dhe respekti mes dy kulturave ishin në qendër të vëmendjes. Aktiviteti u mbyll me foto të shumta dhe shijimin e pikturave të sjella të krijuara posaçërisht për këte event, nga artistë vendas.
Ambasada e Shqipërisë në Pekin vazhdon të jetë një pikë qendrore për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe një shembull i shkëlqyer i diplomacisë kulturore dhe edukative, që nxit shkëmbimet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin pa kushte.