Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, priti në takim Deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, z. Enkel Rexhepi.
Pas bisedës Ministri Hoxha postoi në platformën X:
Takim i përzemërt sot me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Enkel Rexhepi. Vlerësova rolin përfaqësues dhe kontributin e z. Kamberi, i cili, edhe pse i vetëm, është një zë i fortë i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, si edhe angazhimin e tyre të përbashkët për adresimin e çështjeve që prekin komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, përfshirë edhe në forume ndërkombëtare.
Nënvizova vëmendjen e veçantë me të cilën Qeveria shqiptare dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndjekin situatën e shqiptarëve në Serbi, si dhe përkushtimin e palëkundur për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi – përfshirë identitetin kombëtar, gjuhën, kulturën, përfaqësimin e drejtë dhe zhvillimin ekonomik – mbetet një element thelbësor në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë.
Do të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë përfaqësuesit zyrtarë të shqiptarëve në tri komunat atje, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të adresuar sfidat me të cilat përballen shqiptarët atje dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të tyre për dinjitet, barazi dhe zhvillim.



